Të pathënat e tragjedisë në vrasjen e trefishtë, nënës shtatzënë Hamide!

Aktuale

Të pathënat e tragjedisë në vrasjen e trefishtë, nënës shtatzënë Hamide!

Nga: Idriz Morina Më: 5 dhjetor 2022 Në ora: 17:31
Foto ilustrim Hamide Magashi e vrarë bashkë me foshnjën e palindur, dhe dorasi Halili!

Disa ditë më parë shqiptarët u tronditën nga një vrasje e trefishtë, kur dorasi paraprakisht vrau ish-gruan e tij dhe fëmijën, që priste të lindte.

Familjarët, e të dyja familjeve nuk do të mund ta marrin vetën edhe për një kohë shumë të gjatë nga ankthi i asaj tragjedie. Ndërsa, dikush prej tyre, me shumë gjasë nuk do ta merrë veten kurrë, ose jeta për të do të jetë krejtësisht ndryshe.

Lëndimi emocional do të mbetet i pariparueshëm. Në një shoqëri, që kullojmë nga plagët, goditja është shumë më e rëndë, e zbuluar kjo edhe me agresivitetin e reagimit pas ngjarjeve dhe në vazhdimësi, madje edhe pas debatit që çoi në përplasje, pas sjelljeve të rënda të serbëve ndaj shqiptarëve, që luajnë për Zvicrën, gjatë ndeshjes me Serbinë, dhe pas saj.

Ndrydhja e ndjenjave

Për aq kohë, sa e shohim dhunën të shfaqet, ekspertët e parashohin akumulimin shpërthyes të saj, në vet reagimet emocionale të qytetarëve.

Ndrydhja e gjatë e ndjenjave, dështimi për t’i kanalizuar ato, dhe mungesa thuajse e përhershme e trajtimit të shëndetit mendor, përveç rasteve të rënda, e ka bërë një shoqëri të thyer, që shpesh nuk arrin të gjejë përgjigje për rastet fatale.

Një shoqëri, e vuajtjeve tranzicionale, nga një pushtim i egër shekullor, në pushtimet e reja edhe më kobzeza nga Serbia, të përballur me qëllimin e zhdukjes në masë, vetëm pse ishim shqiptarë – autoktonë, ka bërë që proceset e tjetërsimit të jenë të rënda.

Me traditë të thyer, me përballje të një sistemi komunist të egër dhe gjenocidal për shqiptarët, dhe pastaj sërish me okupim klasik, dhe me mungesë të shkollimit cilësor, dhe veçanërisht me ekspertë të paktë, e edhe më të paktë të kualitetit të lartë, gjërat për shëndetin mendor, dhe sjelljen psiko-sociale kanë pësuar një tjetër thyerje, veçmas të ndikuar edhe nga hapja e përgjithshme ndaj perëndimit, pas vendosjes së misioneve civilo-ushtarake ndërkombëtare.

Shpërthimi i këtyre konflikteve emocionale nuk do të ndalet. Ato nuk ndalen nga forca e shtetit, por nga gatishmëria për t’i dhënë përgjigjen e duhur shëndetit mendor, pa mjek, para së gjithash nga psikologë të vyer, dhe duke e ndihmuar vendin me zgjidhjen e krizës ekonomike, dhe njëkohësisht duke e bërë Kosovën një shtet me vlera dhe vend të dashur.

Kosovës jo vetëm i ka munguar, por çdo qeveri e pasluftës ka abuzuar me fonde dhe me çështjen e shëndetit mendor. Një Ministri e Shëndetësisë e dominuar nga mjek, nuk kanë çarë kokën, për atë se çfarë mund të bëjnë psikologët, ndërsa Ministria e Arsimit, nuk është kujdesur që të krijohen kushte për studime doktorate në UP në psikologji dhe në drejtimet e saja, është mjaftuar me ‘importin’ e dijes, dhe çrregullimin e vlerave në ‘tregun e shëndetit mendor’, dhe dominimin e dijes dhe kompetencës mediokre!

Një shoqëri e traumatizuar nga lufta, më shumë se për çdo gjë tjetër kishte nevojë për trajtim të shëndetit mendor.

Pse nuk iu ofrua palëve, trajtim psikologjik?

Nëse ka dështuar sistemi hetimor, që nuk përjashtohet nga ky rast, për shkak të mungesës së rigorozitetit të veprimit, askush nuk po flet, pse mungoi hallka kyçe.

Për të parandaluar një ngjarje të tillë, ku konflikti shkon drejt një kulmi, dhe individët nuk i kanë më në duar të tyre zgjidhjet, siç besojnë ata, duhej të kishte një masë detyrimore për palët, këshillim psikologjik kompetent.

Sikurse viktima Hamide Magashi, e cila veçmas duke qenë edhe shtatzënë, është dashur t’i sigurohej këshillimi klinik.

Ky këshillim mund t’ia bënte të qartë psikologëve situatën reale të rrezikut. Po ashtu ajo do të mund të ishte këshilluar për më shumë masa dhe vendime, nëse donte të shmangte dorasin, që ajo të gjente rrugën e evitimit të çdo kontakti të drejtpërdrejtë. Kjo njëkohësisht do t’i jepte asaj, mbrojtje nga traumat psiqike, tejet të rëndësishme edhe për shëndetin e foshnjës.

Ndërsa, trajtimi i dorasit Sokol Halili, do të mund të ndihmonte në diagnostikimin e tij më të saktë klinik, gjë që do të detyronte autoritetet e sigurisë, të ndërmarrin veprime më radikale, qoftë arrestimin, dënimin e tij, izolimin me burg.

Por, njëkohësisht një këshillim në nivel klinik, do të mund të ndihmonte në mjekimin e tij, sepse një terapist i zoti, do të mund ta bindte të hiqte dorë nga vullneti për krim e ndëshkim, duke ia bërë të qarta pasojat, dhe duke i ofruar zgjidhjen.

Me shumë gjasë, bazuar në veprimet e tij, sipas konsultimeve me ekspertë të fushës, Halili vuante nga çrregullimi i personalitetit antisocial.

Mungesa e një trajtimi psikologjik, qoftë edhe nga psikiatri, mungesës së ekzaminimit, dhe të çështjeve të tjera, ka çuar në vrasjen në vitin 20 ndaj Agonis Tetajt, ku punëdhënësi Shaban Gogaj e vret befasisht, gjakftohtë viktimën më 23 shtator 2018 në ora 11:00 në Deçan.

Por, për të pasur një pasqyrë më të qartë të tragjedisë, do të duhej, që edhe tani palëve t’ju ofrohet trajtim psikologjik, veçanërisht atyre që mund të jenë më të tronditur nga rasti, qoftë për të evituar pasoja të tjera, qoftë për rëndësinë psikologjike të të prekurve rëndë nga rasti.

Siç kemi parë nga informacionet zyrtare, e gjithë mbështetja për zgjidhjen e rastit ka rënduar mbi zyrën sociale. Edhe këto zyra sa ka informacione nuk kanë psikolog klinik, dhe këto zyra nuk kanë asnjë kompetencë tjetër profesionale, përveç se për t’i ofruar pajtim palëve, dhe një njohje me masat.

Asnjë hetim në zinxhirin e menaxhimit shëndetësor

Asnjë hetim dhe asnjë deklarim nga policia e shtetit se çfarë ndodhi që nuk iu ofrua ndihmë për rreth gjysmë ore, viktimës në oborrin e gjinekologjisë, dhe të QKUK-së, dhe me këtë nuk kishte asnjë përpjekje që mund të çonte në shpëtimin e foshnjës.

Ndërkohë, që zyrtarë të lartë të qeverisë kanë premtuar dhe kanë kërkuar që të kryhen hetime dhe të jepen përgjegjësi në zinxhir, përveç fjalës ‘zinxhir’, asgjë tjetër nuk është që e lidh kërkesën për përgjegjësi brenda institucioneve shëndetësore apo të Ministrisë së Shëndetësisë.

Pra, në këtë aspekt, duket një relacion i zhdrejtë dhe madje tingëllon si i qëllimshëm për kuptimin e përgjegjësisë dhe pasojave.

Kjo sjellje është duke e definuar qartë përpjekjen për rolin përndjekës të qeverisë, dhe jo rolet qenësore të saj, të sigurimit të zhvillimit, të demokracisë, ekonomisë, kulturës, tregut të lirë, arsimimit, shëndetësisë, emancipimit... dhe krijimit të kushteve për sundim të ligjit, duke respektuar ndarjen e pushteteve.

Vrasjet, po përpiqet t’i përdorë si ingranazh për përndjekje, një model i qeverisjes dhe sjelljes së partive totalitare dhe komuniste, që në bosht të saj, e ka edhe survejimin e njerëzve.

Qeveria jonë dhe asnjë qeveri në botë nuk e zgjidh krimin duke ofruar vëzhgim 24 orësh, madje edhe po të ndodhte vetë menaxhimi i të gjitha informacioneve është i pamundshëm, dhe kapacitetet njerëzore nuk do të mjaftonin.

Sigurisht, këtë zgjidhje nuk ka arritur ta bëjë as Kina, e cila sipas disa informacioneve në media, thuajse ka arritur në 100 % të popullsisë, ta monitorojë nëpërmjet kamerave, dhe se këtë monitorim e bën ushtria.

Me vetë faktin se këtë punë e bënë ushtria, qartësohet se monitorimi nuk e ka në thelb mbrojtjen e të drejtave civile, familjes etj., por mbrojtjen e pushtetit nga cenimi eventual i sigurisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat