Shefi i EULEX-it flet për gjendjen e sigurisë në Veri vlerëson situatën si të brishtë: Sulmet e fundit tregojnë praninë e armëve

Aktuale

Shefi i EULEX-it flet për gjendjen e sigurisë në Veri vlerëson situatën si të brishtë: Sulmet e fundit tregojnë praninë e armëve

Më: 10 dhjetor 2022 Në ora: 11:19
Lars Gunnar Wigemark

Shefi i Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars Gunnar Wigemark, është deklaruar për situatën e sigurisë në  katër komunat veriore, ku ka thënë se EULEX-i është i shqetësuar lidhur me sulmet e dhunshme të fundit në pjesën veriore të Kosovës.

Wigemark, ka treguara se si pjesëtarët e EULEX-it në katër komunat veriore të Kosovës në datën 31 korrik kishin parë persona të armatosur të barrikadat.

“Më 31 korrik, EULEX-i ka vërejtur një prani të konsiderueshme dhe shqetësuese të armatosur në barrikadat e ngritura në pjesën veriore të Kosovës. Si përgjigje ndaj kësaj, EULEX-i i ka shtuar më shumë patrullat vëzhguese të tij në pjesën veriore të Kosovës dhe fatmirësisht nuk ka hasur në një prani të ngjashme që atëherë”, ka theksuar Shefi i Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë.

“Megjithatë, sulmi i kohëve të fundit në Zyrën e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut ngre shqetësime të ngjashme, veçanërisht përdorimi i bombave të dorës apo atyre “çorientuese” dhe të shtënat me armë, që bëjnë të ditur për praninë e armëve”, ka deklaruar ai.

Sipas Wigemark-ut dorëheqja e pjesëtarëve serbë nga Policia e Kosovës e ka krijuar një situatë të brishtë pasi ka vakum të sigurisë.

“Ne i dënojmë sulmet e dhunshme të fundit në pjesën veriore të Kosovës. Është me rëndësi që të ruhet qetësia, të tregohet vetëpërmbajtje dhe të hiqet dorë prej çfarëdo veprimi provokues”, ka thënë Wigemark.

“EULEX-i është përkrahës i këtyre masave parandaluese, por ne nuk mund ta zëvendësojmë Policinë e Kosovës, e cila është reaguesi i parë i sigurisë”.

A ka kushte për zgjedhje?  

Më tej ai ka folur për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës.

“Sa i përket organizimit të zgjedhjeve të pjesshme në pjesën veriore, autoritetet e Kosovës duhet të marrin parasysh me kujdes të gjithë faktorët e sigurisë, administrativë dhe politikë për të siguruar që zgjedhjet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të mbahen në kushte paqësore”, ka thënë Wigemark.

“Situata e sigurisë në lidhje me këto zgjedhje është duke u vlerësuar nga institucionet e Kosovës”, ka shtuar ai.

Ai ka sqaruar se EULEX-i, se ata në veri e kanë shtuar prani e tyre me qëllim që krijojnë një ambient të sigurojnë të gjitha komunitetin.

“EULEX-i vazhdon të jetë vigjilent dhe i monitoron nga afër të gjitha zhvillimet të cilat mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës, si dhe në sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë, përmes një numri të rritur dukshëm të patrullimeve vëzhguese, përfshirë patrullimet në këmbë në të gjitha komunat veriore, gjegjësisht në Mitrovicën Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok”, ka përfunduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat