Shkatërrimi i bandave kriminale serbe në veri, luftë për sovranitet dhe integritet!

Aktuale

Shkatërrimi i bandave kriminale serbe në veri, luftë për sovranitet dhe integritet!

Nga: Idriz Morina Më: 10 dhjetor 2022 Në ora: 15:36
Njësia speciale e Kosovës në veri

Gjendja në veri është prej një më të brishtave në dekadat e fundit. Por, edhe mbase që nga dita e Shpalljes së Pavarësisë kur bandat serbe të nxitura nga Beogradi dogjën pikat kufitare në Jarin dhe Bërnjak, nuk jemi ballafaquar me një përpjekje të drejtpërdrejt të Serbisë për ta shkatërruar Kosovën, përkatësisht sovranitetin e saj në pjesën veriore.

Ndërkohë, institucionet e Kosovës, pa një përkrahje të plotë ndërkombëtare në veprimet e tyre të fundit po mundohen të jenë sa më racionale në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe sovranitetit të vendit.

Sovraniteti dhe integriteti i vendit janë të garantuara në mënyrë të veçantë nga SHBA-të, e cila veçmas në Presidencën Biden, dhe me të dërguarin e tij ambasadorin Hovenier, e kanë marrë përsipër paprekshmërinë dhe ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të vendit edhe në veri, pas politikës, e cila synonte ta këmbente, apo më saktë t’ia dhuronte një pjesë të territorit Serbisë.

Prandaj, politika arbitrare, e sjellje sipas rasti apo duke krijuar raste të paqena e të pastudiuara, janë të rrezikshme, dhe në shpërputhje me nevojën për kontroll, nëpërmjet së cilës besohet rikthimi i plotë i sovranitetit dhe integritetit, duke i shuar dhe shkatërruar bandat kriminale, të udhëhequra nga Serbia.

Në këtë situatë, lufta apo përpjekja ligjore, hetimore dhe gjyqësore, për serbët e përfshirë në krim të organizuar, veçanërisht me qëllim shkatërrimin e shtetit nuk duhet të ndalet as tash, aq më tepër që aktualisht rezulton se është e përfshirë edhe Rusia në këtë skenar aktual.

A ka një përpjekje serbe për dhunë totale në veri?

Për t’iu referuar gjendjes në veri dhe disa ndodhive të përsëritura, veçanërisht analistët televiziv, por edhe disa politikanë duhet që t’i lexojnë me plotkuptimin e fjalës, mesazhet amerikane.

Ata nuk i kanë lexuar dhe as pranuar me qartësinë që janë thënë as mesazhet e sipërpërmendura, duke i marrë si tranzicionale.

Për vite të tëra, disa nga analizat e mia kanë dalur të sakta apo kryesisht të sakta, për shkak se me shumë përpikëri i kam marrë si të tilla mesazhet amerikane për Kosovën, jo duke i marrë, interpretuar dhe rikomentuar sipas një kuptimësie që shfaqet në shumë media dhe në opinion.

Edhe në situatën aktuale të brishtë në veri, pas disa vendimeve dhe sulmeve të grupeve kriminale serbe, është e qartë se në mënyrën më të saktë SHBA-të i referohen gjendjes atje.

Sigurisht se këtë e bëjnë të mundur disa gjëra. Nuk ka asnjë institucion, e madje as vetë shteti ynë, se sa që është e informuar SHBA-ja për gjendjen në veri.

Madje, ajo i ka të qartë edhe opsionet që i ka në dorë Kosova dhe po ashtu shteti kërcënues, Serbia.

Po ashtu ajo është e informuar shkëlqyeshëm edhe nga agjencitë e sigurisë, si të vetë shtetit, nga KFOR-i, EULEX-i etj., pas duke pasur edhe informacione në detaje.

Nga kjo perspektivë e pasjes së informacioneve, qëndrimeve, dhe fuqisë së saj të pakontestueshme për të detyruar palët për vendimmarrje, e bëjnë kompetencën e saj, të padyshueshme, përtej çdo interesi madje për të shprehur entuziazëm.

SHBA-të, gjendjen në veri, sulmet e grupeve të bandave serbe, i shohin si përpjekje për frikësim për të arritur qëllime politike, dhe po ashtu si një protestë.

“Përdorimi i dhunës dhe frikësimit, duke përfshirë përdorimin e mjeteve shpërthyese, nuk është kurrë një metodë e përshtatshme proteste dhe rrezikon jetë të pafajshme”, thuhet në qëndrimin e ambasadës së SHBA-së për ngjarjet në veri.

Pra, ne nuk duhet të shohim asnjë rrezik tjetër në veri, asnjë përpjekje të mirëfilltë shtetërore serbe për të ndërhyrë me trupa.

Aktualisht jemi përballë një mënyre-metode protestimi “të papërshtatshme”.

Ndërsa, lëvizjet e fundit të dhunshme serbe nuk duket se janë pjesë e planit të zbuluar nga Vuçiqi, se veriu i Kosovës mund të bllokohet nga serbët në lumin Ibër.

Sigurisht se një deklarim i tillë si shumë herë të tjera, ishte një fjalor hiperbolizues, karakteristik për diplomacinë serbe dhe për vetë Vuçiqin.

Për dallim nga ky paralajmërim, ndodhi e kundërta, ajo që kishim kërkuar ne që ditën e parë të braktisjes së policisë së Kosovës nga pjesëtarët serbë, zëvendësimin masiv nga policët në detyrë, shqiptarë dhe të tjerë.

Image
Gatishmëria e KFOR-it

Përpjekjet italiane për protagonizëm

Për herë të dytë në disa javë të fundit, ka filluar të shfaqet një përpjekje nga Italia, për t’i inkurajuar palët dhe shtetet perëndimore të përfshira në bisedimet në Bruksel, Kosovë-Serbi, për të mbajtur një tryezë të re.

Ndoshta, Italia mund të jetë më qëllimmire ndaj Kosovës, dhe mbase po kërkon që të na ndihmojë. Por, ajo që tashmë është e qartë, Italia po kërkon protagonizëm në këtë proces. Këtë e ka thënë katërçipërisht, shefi i diplomacisë italiane Tajani.

“Italia dëshiron të jetë protagoniste e paqes në Ballkan. Le të nxisim dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës”, ka shkruar në tviter ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani.

Por, a është e gatshme Kosova, që për hirë të protagonizmit, të një shteti sado të fuqishëm, anëtar i KUINT-it (pesëshes kryesore ndërkombëtare në Kosovë), ta pranojmë këtë synim italian?

Italia do të duhej të ndihmonte dhe ta bënte këtë, duke e shfletuar edhe kronikën e marrëveshjeve ndërkombëtare për trojet shqiptare në dy shekujt e fundit, dhe nga ato të marrë vendime meritore për Kosovën, jo më në favor të politikave shovene serbe, sllave, ortodokse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat