Shkollat shqiptare në veri vazhdojnë mësimin, përveç njërës që po punon pjesërisht

Aktuale

Shkollat shqiptare në veri vazhdojnë mësimin, përveç njërës që po punon pjesërisht

Më: 12 dhjetor 2022 Në ora: 15:04
Shkolla fillore "Elena Gjika" në Prishtinë. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Të hënën, në një shkollë shqiptare në veri procesi mësimor është mbajtur pjesërisht, ndërsa në fshatrat tjera të banuara më shumicë shqiptare mësimi është duke u zhvilluar normalisht.

Për shkak të mungesës se sigurisë, më 12 dhjetor, procesi mësimor në shkollën fillore “Aziz Sylejmani” në lagjen Kodra e Minatorëve në veri të Kosovës, është mbajtur pjesërisht.

Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, drejtori i kësaj shkolle, Flamur Gacaferri.

“Sot mësimi është mbajtur vetëm me ciklin e ulët, nga klasa e parë deri të pestën, kurse me nxënësit më të rritur, nga klasa gjashtë deri të nëntën, nuk është mbajtur. Kjo për shkak se prindërit i kanë tërhequr fëmijët e rritur nga kodra në pjesën jugore të Mitrovicës”, tha ai.

Në këtë shkollë procesin mësimor në të gjitha paralelet e vijojnë 17 nxënës shqiptarë.

Sa i përket vazhdimit të mësimit të martën, Gacaferri tha se janë në kontakt më “prindërit e nxënësve”.

Përveç në këtë shkollë, mësimi në fshatrat tjera të banuara më shumicë shqiptare është duke u zhvilluar normalisht, tha nënkryetari i komunës se Mitrovicës se Jugut, Arian Tahiri.

Ai tha se për shkak të tensioneve të veri të Mitrovicës janë në koordinim më institucionet e sigurisë edhe për mbarëvajtjen e procesit mësimor.

“Nëse rekomandohet nga organet e sigurisë se mësimi duhet të ndërpritet ne do marrim një vendim të tillë. Normal që qytetarët janë më të shqetësuar për sigurinë e tyre, por që mësimi është duke vazhduar”, tha ai.

Për shkak të situatës aktuale të sigurisë, mësimi është ndërprerë në shkollat fillore dhe të mesme serbe - në katër komunat në veri të Kosovës. Ato nuk do të punojnë deri në njoftimin e radhës.

Kështu i tha REL-it paraditen e së hënës drejtori i shkollës fillore “Sveti Sava” në Mitrovicën e Veriut, Miodrag Jovanoviq.

Ai nuk dha detaje se deri kur nuk do të shkojnë nxënësit në shkollë, por vetëm tha se një vendim i tillë është marrë të dielën mbrëma.

Shkollat në mjediset serbe në veri të Kosovës funksionojnë nën sistemin e Serbisë.

Që nga 6 dhjetori, në veri të Kosovës janë shënuar një sërë incidentesh të armatosura, që kanë kulmuar me vendosjen e barrikadave pasditen e 10 dhjetorit.

Serbët lokalë nisën ngritjen e barrikadave në veri në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-pjesëtari të Policisë së Kosovës.

Autoritetet në Kosovë thanë se ish-polici, Dejan Pantiq, dyshohet se ka organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të KQZ-së në veri.

Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar që të largohen barrikadat dhe kanë dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së në Kosovë për sundim të ligjit, EULEX./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat