Peci: Në pozitën më të vështirë në veri është popullata serbe

Aktuale

Peci: Në pozitën më të vështirë në veri është popullata serbe

Më: 15 dhjetor 2022 Në ora: 11:03
Lulzim Peci

Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci ka reaguar pas deklaratave të një qytetareje serbe se një i afërm i saj është torturuar në veri të vendit, duke i pamundësuar ta dërgonte nënën e tij në spitalin e Mitrovicës. Ai ka thënë se ky akt tregon për gjendjen e rënduar në veri, për çka ka shtuar se më së shumti po e vuajnë qytetarët serbë që jetojnë në këtë pjesë.

Eksperti i sigurisë kritika ka hedhur për Qeverinë e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare për të cilët ka thënë se kanë dështuar të mrbojë qytetarët serbë nga “mbrojtja” e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Në pozitën më të vështirë në veri të Kosovës është popullata serbe dhe atë nga kombinimi i kriminelëve me maska dhe barrikada. Këta kriminele, jo vetëm që rrahin dhe maltretojnë individë të komunitetit serb, por edhe shkojnë aq larg sa që personave të sëmurë ju pamundësojnë marrjen e ndihmës mjekësore. Rrahja e djeshme e të riut te komunitetit serb nga këta kriminele, i cili nënën e vet që kishte pësuar sulm ne zemër dëshironte ta dërgonte në spitalin e Mitrovicës tregon nivelin e gjendjes e rënduar të kësaj popullate të shkaktuar nga ngjarjet e fundit në veri të Kosovës. Në mbrojtjen e kësaj popullate prej ‘mbrojtjes’ së Vuçiqit është duke dështuar si Qeveria e Kosovës, ashtu edhe prezenca ndërkombëtare në këtë pjesë te vendit. Ky rast duhet te jetë zile e alarmit se kjo gjendje nuk mund te vazhdojë, pikë se pari për arsye humanitare dhe të sigurisë njerëzore”, ka shkruar Peci në profilin e tij në Facebook.

Ai ka thënë se shpreson që gjatë ditëve në vijim të largohen barrikadat dhe se do të fillojë normalizimi i jetës për qytetarët e Kosovës në këtë pjesë të vendit.

Ndryshe, një qytetare serbe ka thënë se të mërkurën tezja e saj ka pësuar atak kardiak pasi bandat terroriste serbe që po qëndrojnë në barrikadat e vendosura në veri të vendit kanë torturuar djalin e saj duke mos e lënë ta dërgojë nënën në spital e as të blejë ilaçe.

Barrikadat në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak u ngritën më 10 dhjetor nga grupe kriminale serbe, si shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë. Ai dyshohet se organizoi sulm terrorist në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pret që misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, t’i largojë barrikadat në veri. Ndërkohë që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës i ka kapacitetet e duhura të veprojë në këtë drejtim.

Thirrje për largimin e barrikadave kanë bërë edhe ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe ajo në Beograd, duke thënë se arrestimi i Pantiqit po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve.

Grupet kriminale serbe të maskuar kanë sulmuar Policinë e Kosovës, gazetarët dhe misionin e BE-së, EULEX.

Si pasojë, një polic i Kosovës është lënduar, për çka ka marrë edhe trajtim mjekësor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat