Dita e nëntë e barrikadave në veri – krejt çka ndodhi dje

Aktuale

Dita e nëntë e barrikadave në veri – krejt çka ndodhi dje

Më: 18 dhjetor 2022 Në ora: 07:45
Foto ilustrim

Disa serbë lokalë në veri të Kosovës, qysh më 10 dhjetor, kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Barrikada e fundit është vendosur të premten “në lagjen Berxhane që shpie për në Zveçan”. Situata atje sipas Policisë dje ka qenë e qetë teksa sot hyjmë në ditën e nëntë me barrikada. 

Gjatë ditës së djeshme Lista Serbe ka thënë se vizita e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në pikëkalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, Bërnjak, është provokim “me qëllim të përshkallëzimit të situatës në terren”.

Situata në veri të Kosovës është tensionuar prej 10 dhjetorit, kur serbët lokalë kanë ngritur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.

Ministri Sveçla, ka njoftuar të shtunën, përmes llogarisë së tij në Facebook, se ka qëndruar në mbrëmjen e 16 dhjetorit në Bërnjak, së bashku me zyrtarët e Policisë së Kosovës të angazhuar atje.

“Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për t’i larguar barrikadat dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat”, ka thënë Sveçla.

Lista Serbe ka thënë se Sveçla “nuk është i mirëpritur në komunat serbe në veri të Kosovës” dhe se “nuk ka çfarë të kërkojë në rajonet tona”.

Kosova fajëson “bandat kriminale” që “financohen dhe dirigjohen” nga Beogradi për këto incidente. Në anën tjetër, Serbia i është drejtuar me kërkesë misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për dërgimin e deri 1.000 trupave ushtarake dhe policore në Kosovë.

Në anën tjetër, KFOR ka deklaruar se ka pranuar kërkesën e Serbisë dhe të njëjtën është “duke e shqyrtuar”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat