“Më në fund”/ Dënimi i Mustafës nga Specialja, vjen reagimi nga familja e veprimtarit të vrarë të LDK-së

Aktuale

“Më në fund”/ Dënimi i Mustafës nga Specialja, vjen reagimi nga familja e veprimtarit të vrarë të LDK-së

Nga: A.Zh Më: 18 dhjetor 2022 Në ora: 10:18
Haki Imeri

Familja e veprimtarit të vrarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës Haki Imeri, ka reaguar pas dënimit të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, nga Gjykata Speciale.

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, u dënua me 26 vjet burg për krime lufte, përfshirë ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje.

Dënimin e tij e ka mirëpritur familja e Imerit, e cila përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “më në fund drejtësia për viktimat e torturës, vrasjes, kidnapimeve dhe përndjekjes më se 23 vjeçare filloi të marrë frymë”.

“Dënimi i parë nga Gjykata Speciale për krime kundër shqiptarëve.

Më në fund drejtësia për viktimat e torturës, vrasjes, kidnapimeve dhe përndjekjes më se 23 vjeçare filloi të marrë frymë.

Përkundër të gjitha përpjekjeve dhe terrorit, anëtarët e familjarëve të viktimave, sot kanë një arsye për të kuptuar se si drejtësia në sytë dhe mendjet e shumëkujt mund të vonojë...

Por durimi, sinqeriteti dhe drejtesia, janë ato që asnjëherë nuk vonojnë dhe gjithmonë shpërblehen dhe triumfojnë”, thuhet në reagimin e familjes Imeri.

Gjykata Speciale gjeti se Mustafa ka kryer krimet kundër të burgosurve civilë në një qendër paraburgimi të UÇK-së në fshatin Zllash, derisa ishte komandant në Zonën Operative të Llapit të UÇK-së gjatë kohës së luftës në verilindje të Kosovës./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat