Hashim Thaçi merr goditjen e dytë fatale: Territorin e Kosovës e bëri pazar me gjykatën speciale!

Aktuale

Hashim Thaçi merr goditjen e dytë fatale: Territorin e Kosovës e bëri pazar me gjykatën speciale!

Nga: Idriz Morina Më: 21 dhjetor 2022 Në ora: 18:49
Daçiqi, baronesha Eshton dhe Thaçi

I adhuruar dhe shpesh i hiperbolizuar për rolin e tij në luftë dhe më pas në qeverisje e Presidencë nga mbështetësit e tij, ka marrë dy goditje të rënda së fundi.

Pak ditë më parë i dërguari për bisedimet Kosovë-Serbi i presidentit Tramp, Riçard Grenell, zbuloi, se ai ishte duke negociuar shuarjen e gjykatës speciale, ndërkohë që Hashim Thaçi po negocionte një marrëveshje për Kosovën, e cila pritej të përmbyllej me ndarjen e veriut, dhe bashkimin e një pjesë të Luginës.

Këtë informacion, të martën Riçard Grenell e plotësoi edhe më, në përpjekje për t’ju kundërvënë hetimeve apo vullnetit të tij për ta diskredituar prokurorin amerikan Xhek Smith, i cili ia doli që ta dërgojë në Hagë, të dyshuarin kryesor për vrasjet politike, Hashim Thaçin.

Image
Grenelli dhe Thaçi

Goditja e dytë fatale nga Grenelli

Por, Grenelli duke u përpjekur që ta sulmojë Smithin, e goditi sërish Hashim Thaçin, duke zbuluar përpjekjet e tij për ndarje të Kosovës.

Sipas Grenellit, për dallim nga postimi i ditëve më parë, në tviterin e tij, kur njoftonte se Thaçi vetëm po negocionte, këtë e ka plotësuar me informacionin se Thaçi, po vinte në Shtëpinë e bardhë për ta bërë marrëveshjen me Serbinë.

“Jack Smith vendosi të padiste Hashim Thaçin pasi i thashë Bruce Schëartz-it te DOJ (Department of Juistice/Departamenti i Drejtësisë) se palët ranë dakord t’i jepnin fund Gjykatës Speciale dhe Jack Smith do të humbiste punën e tij.

Thaçi po vinte në Shtëpinë e Bardhë te Trump-i për t’i dhënë fund marrëveshjes finale. Jack Smith iu vërsul për ta paditur”, ka shkruar Grenell, një ditë më parë.

Pra, tashmë është e qartë se Thaçi ishte nisur për në SHBA për marrëveshjen përfundimtare, ndarjen e Kosovës, të cilën për disa vite e kishte negociuar në mënyrë të fshehtë.

Më e keqja, e gjithë këtij tregimi është se ai la shije të hidhur, kur veriun e Kosovës, komunën e Leposaviçit dhe bashkësinë e Leshakut, i quajti “Dhurata të Rankoviçit”, që duhej t’i ktheheshin Serbisë.

Kjo ishte një tendencë e hapur, për të fshirë kujtesën shqiptare, që Serbia ia ka gllabëruar, jo me luftë të suksesshme, por me konferenca ndërkombëtare, një territor prej më shumë se dyfishi i Kosovës. Shqiptarët në fillim të shekullit të 19-të ishin një nga popullsitë kryesore të Beogradit, e mos të flasim për qytetet nga Nishi e këndej, ku ishin shumicë e absolute dhe me rol të pakontestueshëm.

Vetëm Sanxhaku i mbetur në Serbi dhe Kosova Lindore, përbën, më shumë se 7 mijë km katror.

Po ashtu me këtë informacion Grenelli ka implikuar drejtpërdrejt në lojë edhe qeverinë e udhëhequr nga Hoti, përkatësisht figurat protagoniste të LDK-së, që çuan në rrëzimin e qeverisë së koalicionit, VV-LDK, si Isa Mustafa, Agim Veliu, e të tjerë të përfshirë në atë proces të dyfishtë, të rrëzimit të Qeverisë dhe më pas të ecjes drejt ‘ndarjes së Kosovës’.

Por, kjo gjëmë u ndalë, nga vendimi i bujshëm i prokurorit Smith, i cili e bëri publike aktakuzën e ngritur muaj më parë nga gjykata speciale, dhe udhëtimi i Thaçit drejt Amerikës u ndërpre në Vjenë, për t’u kthyer më pas në izolim në Kosovë, në pritjen e datës së arrestimit, 5 nëntor 2020.

Një goditje e re fatale figurës së Thaçit iu dha nga Akademia e Shkencave të Kosovës, duke e bërë fajtor për udhëheqjen e një politike të rrezikshme në dëm të Kosovës dhe shqiptarëve, në bisedimet me Serbinë për ndarjen e Kosovës, të deklaruar më vonë nga ai, si ‘korrigjim kufijsh’.

ASHAK: Ndarja e Kosovës ide e Çubriloviqit dhe Qosiqit

Akademia e Arteve dhe Shkencave të Kosovës publikoi të mërkurën një analizë të saj me titullin “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, e ka zbërhtyer çështjen e idesë për ndarjen e Kosovës. Po ashtu edhe rolin negativ të Shqipërisë në krye me Edi Ramën.

Sipas këtij studimi të Akademisë, “Ideja për ndarjen e Kosovës”, është thjesht një qëllim i ideologëve historik të nacionalizmit serb, ndërsa veçon si “dishepuj” Çubriloviqin dhe Qosiqin.

Ashtu, siç kishim analizuar edhe ne, gjatë kohës së bisedimeve, se Hashim Thaçi, po mashtronte tani, duke e paraqitur idenë serbe, si ide të tij, edhe ASHAK pas dështimit të zhvillimit të atyre ngjarjeve, më shumë se dy vite pas arrestimit të ish-presidentit, e akuzon se e ““brendësoi” idenë serbe të ndarjes së Kosovës, herë si kryeministër e herë si president”.

Po ashtu, të njëjtën kritikë tonë, të bërë vite më parë, se ai e pranoi këtë projekt me shpresë për t’i shpëtuar gjykatës së Hagës, arrestimit nga specialja.

“Hashim Thaçi, herë si kryeministër dhe herë si president, futi në agjendë opsionin e ndarjes së Kosovës, si mjet kryesor për të shpëtuar veten nga Gjykata Speciale, qoftë duke bërë marrëveshje të fshehta me Serbinë, qoftë duke pretenduar një amnisti si “mirënjohje botërore”, për arritjet e tij në promovimin e paqes midis dy popujve”, thuhet në punimin e AShAK-ut.

Image
Mehmet Kraja, kryetari aktual i ASHAK-ut

Por, për dallim nga këto të dhëna të ASHAK-ut, ne kemi argumentuar me kohë, se pas Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës se ndarja e Kosovës publikisht riaktualizuar në vitin 2010/2011 nga ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq. Këtë ide e kishte afirmuar në vitin 2011 për një të përditshme në gjuhën shqipe.

"Mendoj se zgjidhja e vetme reale është që zona ku jetojnë serbët të mbetet në Serbi dhe pjesa tjetër ku jetojnë shqiptarët të ndahet. Kjo është e vetmja mënyrë realiste që mund të na çojë në një zgjidhje të shpejtë”, kishte thënë Daçiq.

Është e habitshme se kjo ide bëhet publike, pikërisht në vitin kur po fillonin bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel, dhe se së shpejti, protagonist do të ishte vetë Daçiqi me Hashim Thaçin, të cilët do të bisedonin atje në cilësinë e kryeministrave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat