​Policia e Kosovës deklarohet për rrëmbimet e qytetarëve serb në veri të Republikës së Kosovës

Aktuale

​Policia e Kosovës deklarohet për rrëmbimet e qytetarëve serb në veri të Republikës së Kosovës

Më: 21 dhjetor 2022 Në ora: 19:30
Veriu i Kosovës

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, kërcënimet dhe rrezikimi i sigurisë së qytetarëve në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, ka krijuar rrethana të domosdoshme në ngritjen e kapaciteteve policore në menaxhimin e situatës së sigurisë dhe parandalimin e aktiviteteve kriminale.

“Në funksion të kësaj përveç angazhimeve aktive, janë vendosur edhe pika kontrolli të automjeteve nëpër qytete dhe akse rrugore. Ditëve të kaluara ka pasur informacione, raportime dhe publikime në media lidhur me rrëmbimin, rrahjen dhe keqtrajtimin e disa qytetarëve serb nga pjesëtarë të strukturave kriminale në pjesën veriore të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Policia Kosovës, njësitet përkatëse të saj, janë duke trajtuar me seriozitet këto informata dhe janë duke i ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e tyre.

“Policia e Kosovës, falënderon qytetaret për bashkëpunimin e vazhdueshëm ofrimin e informatave të rëndësishme për adresimin efikas të këtyre veprimeve kriminale që si tendencë kanë krijimin e panikut dhe frikës tek qytetarët e vendit tonë”, theksohet në komunikatën e policisë.

Ndryshe gjatë ditës së djeshme KosovaPress e para, ka raportuar se në dy ditët e fundit në veri të Kosovës gjashtë persona të komunitetit serb janë rrëmbyer dhe dërguar në Serbi.

Dyshimet janë se në këtë ngjarje janë të përfshirë agjentë sekretë të Serbisë. Të rrëmbyerit janë dhunuar fizikisht për shkak se kanë refuzuar të hyjnë në automjetin e rrëmbyesve. Ndërsa bëhet me dije se mes tyre është rrëmbyer edhe një ish-polic i Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat