Fundi i barrikadimit serb! / Kthesa dramatike në luftën kundër pushtimit rus

Aktuale

Fundi i barrikadimit serb! / Kthesa dramatike në luftën kundër pushtimit rus

Nga: Idriz Morina Më: 22 dhjetor 2022 Në ora: 17:38
Njësia "Elite" e forcave speciale, "Rosu"

Nuk mund të ketë më shumë pritje për heqjen e barrikadave. Nuk mund të akumulohen dhe manifestohen më shumë projektet serbe, duke tentuar që të nxitë një simpati apo dhembshuri në Perëndim, se kinse janë të detyruar për të drejtat e tyre të rrinë në të ftohtë, ditë dhe netë.
Nuk ka asnjë shtet të painformuar perëndimor, i cili mund të dyshojë në vërtetësinë e barrikadave, se ato janë projektuar për qëllime ekstremiste, nga banda dhe të urdhëruara nga Beogradi.

Bateritë e “Patriotëve”

Por, ajo që sot mund të duket fitore, ‘bateritë’ e “Patriotëve”, mund ta kthejnë në një humbje të shumëfishtë.

Vizita e Zelenskit në SHBA, mund të jetë edhe një pikë kthese për Kosovën. Aleatët kundër Putinit duhet të shpërblehen definitivisht, ndërsa regjimet si ai i Putinit dhe ato autoritare si në Serbi, duhet të shemben përfundimisht.

Image
Zelenski e bind presidentin Biden për më shumë ndihma ushtarake

Vizita e Zelenskit në SHBA ka rritur forcat motivues për të ndihmuar heroin e udhëheqjes së luftës së Perëndimit kundër Rusisë autokrate e gjenocidshkaktuese, në përmasa globale, veçanërisht në më shumë se një shekull, të cilat krime janë të papranueshme për kulturën perëndimore dhe civilizimin njerëzor të përjetuar përgjithësisht.

SHBA-ja e shpërbleu Ukrainën me raketat “Patriot”, dhe sigurisht se këto pritet të krijojnë një kthesë dramatike në luftën kundër pushtimit rus.

Pas kësaj teknologjie, Rusia vështirë se mund të shtyjë apo zvarrisë procesin e humbjes. Dështimet e reja, mund ta shtyjnë drejt kërcënimit me përdorim të bombave bërthamore, një plan rus, që po del gjithnjë e më vështirë i realizueshëm.

Image
Raketat e saktësisë së lartë "Patriot"

Çfarë duhet të ndodhë

Ajo që duhet të ndodhë aktualisht është, që udhëheqësit e bandave kriminale, dhe ata që po organizojnë e kryejnë krime, duhet të kërkohen nga drejtësia, të ndiqen penalisht që tani, dhe në momentin e duhur të arrestohen.

Shkelësit e rendit kushtetues, autorët e sulmeve terroriste, dhe terrorizuesit, plagosësit e policisë, hedhësit e bombave, e të tjerë, nuk kanë më vend në jetën politike.

Nga kjo duhet të ndiqen penalisht edhe udhëheqës të Listës serbe, të cilët kanë kryer krime.
Kërkesat politike, janë duke u dialoguar në Bruksel, dhe kanë marrë deri më tash të gjitha favoret e botës, por nuk mund të marrin atë që nuk ju takon.

Është koha që rreth 12 mijë shqiptarët e dëbuar nga veriu të kthehen. Dhe kthimi të nisë që tani. Edhe ish-zyrtari i lartë i NATO-s Xhem Shea, i cili mbahet mend nga shqiptarët si zëdhënës i Aleancës gjatë bombardimeve të saj ndaj Serbisë, për t’i dhënë fund gjenocidit serb ndaj shqiptarëve, beson se Komandanti i NATO-s, gjatë vizitës në Beograd të hënën që shkoi, ia ka përcjellur “mesazhet e duhura në lidhje me nevojën për të punuar për qetësi dhe depërshkallëzim”.

Shea thotë se KFOR-i është përgjegjës për sigurinë në të gjithë Kosovën dhe ka autoritetin të përcaktojë nëse ka nevojë për ndihmë nga palët e jashtme. “...nuk mund ta imagjinoj që futja e forcave serbe në Kosovë të jetë e nevojshme ose e dëshirueshme”, ka thënë Shea, i cili ka porositur, “duhet të heqim barrikadat”.

Prandaj, është koha të zbatohet mesazhi i Sheas, dhe këtë ta bëjë Perëndimi.

Nuk mund të lejohen grupet kriminale serbe dhe me mbështetje ruse, të fitojnë terren, aq më tepër që të krijojnë mënyra të reja, nxitje të reja, për ta sfiduar rendin kushtetues në Kosovë, si në protestën e sotme në Rudarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat