E konfirmon Sveçla: Një 14 vjeçar është sulmuar në Mitrovicën e Veriut

Aktuale

E konfirmon Sveçla: Një 14 vjeçar është sulmuar në Mitrovicën e Veriut

Më: 22 dhjetor 2022 Në ora: 20:20
Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar se një fëmijë i moshës 14-vjeçare është sulmuar sot në Mitrovicën e Veriut, më konkretisht në lagjen “Kroi i Vitakut”.

Sveçla në një konferencë për media, ka thënë se fëmija ka pësuar lëndime trupore, dhe është dërguar për tretman mjekësor.

“Sapo më njoftuan, se rreth orës 14:00, një 14 viçar, banor i Kroit të Vitakut është sulmuar nga grupe kriminale duke shkuar në lagjen ku banon.”

“Fëmija ka lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor, policia është duke u angazhuar maksimalisht për zbardhjen e këtij rasti, dhe kam porosi për këta kriminelë, se do t’i shfrytëzojmë kapcitetet që ata të identifikohen dhe të sillen para drejtësisë, që të jenë të përgjegjshëm ndaj këtyre akteve kriminale”, tha ai.

Postimi i plotë:

Fjala ime e plotë në konferencën e sotme për media:

Të nderuar gazetarë e gazetare,

Të dashur qytetarë,

Thirrja e konferencës së sotme përkon me zhvillimet e javëve të fundit në veriun e vendit, gjegjësisht në 4 Komunat Veriore.

Ngjarjet dhe zhvillimet e fundit, të transmetuara në mënyra të ndryshme nga mediume të ndryshme, kanë shqetësuar dhe më shumë qytetarët anë e mbanë. Barrikadat në veri të vendit janë praktikë e njohur për të gjithë ne. Ato po organizohen nga grupe të ndryshme kriminale, të armatosura dhe po mbahen nga qytetarët që po kërcënohen nga strukturat kriminale të orkestruara nga Beogradi.

Unë ju bëj thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me institucionet e Republikës së Kosovës dhe të mos bien pre e presioneve dhe shantazheve të Beogradit. Barrikadat tashmë kanë humbur arsyen me të cilën ata i patën ngritur. Arsye të cilat në asnjë moment nuk kanë qëndruar. I vetmi qëllim i tyre është bllokimi i veprimeve ligjore të Republikës së Kosovës. Ato nisën pas arrestimit të ish zyrtarit policor Pantiq i cili akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues.

Por, tashmë, rreth barrikadave çdo ditë po njoftohemi me kërkesa të reja të shtyra nga Serbia, për arritjen e qëllimeve të tyre politike.

Kërkohet lirimi i Pantiq, që padyshim se është i papranueshëm. Policia e Kosovës ka arrestuar sipas kërkesës së organeve të drejtësisë dhe se nuk është detyrë e Policisë së Kosovës lirimi i të arrestuarve, por është ushtrimi i autorizimeve të tyre dhe zbatimi i urdhrave në mënyrë të ligjshme, të bazuara në Kushtetutë.

Mu për shkak të barrikadave, bllokimit të rrugëve dhe lirisë së lëvizjes, ai po mbahet në stacionin policor në afërsi të kufirit në Jarinje. Është diskutuar shumë për mbajtjen dhe gjendjen shëndetësore të tashmë të ndaluarit Dejan Pantiq. Padyshim, që ai duhet të ishte në qendrën përkatëse për mbajtje e jo në stacion policor. Por përkundër kësaj gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe ka trajtimin e duhur. Lidhur me këtë rast, ne kemi proceduar kërkesën tek partnerët tanë për transferimin e tij në objektet adekuate që të vazhdojë paraburgimin dhe procedurat e mëtutjeshme. Prandaj, për ne mbetet prioritet transferimi i tij përmes bashkëpunimit me partnerët tanë. Largimi i barrikadave e mundëson këtë transferim nga Policia e Kosovës, lehtë dhe sigurt.

Mënyra më e mirë është largimi i tyre nga ata që i kanë vendosur. Por, më duhet të ritheksoj që ne kemi të gjitha kapacitetet e nevojshme për largimin e barrikadave. Për shkak të situatës, jemi në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar dhe presim që sa më parë të veprohet nga KFOR-i. U bënë 13 ditë dhe situatë vazhdon të jetë e njejtë, apo mund të themi se është rënduar. Dhe po presim që sa më shpejtë ato të largohen, e në qoftë se kjo nuk ndodhë, siç theksova dhe më lartë kemi kapacitetet e nevojshme për ta bërë vet.

Situata e tillë në terren vetëm sa po e shton frikën dhe pasigurinë të qytetarët.

Përveç situatës në terren, Serbia po përdore dhe propagandën masive, e në raste të caktuara fatkeqësisht e mbështetur dhe nga disa grupe e individë brenda Kosovës.

Fushata dezinformuese e Serbisë po përdoret si mjet për të arsyetuar pretendimet e hapura territoriale të Serbisë, barrikadat dhe për të frikësuar qytetarët tanë serb.

Një e pavërtetë që po përdoret në vazhdimësi ka të bëjë me lajmin se kinse Policia e Kosovës ka lista mbi të cilat po arreston ish-policët. Nuk ka lista të tilla. Nuk ka asnjë listë as për përndjekje e aq më pak për vrasje të qytetarëve serb. Kjo është logjika që Serbia ka ushqyer historikisht. Pra lista bëjnë ata të cilët vranë edhe Oliver Ivanoviqin, e shtypin e maltretojnë serbët e padëgjueshëm ndaj Beogradit. Si dhe kanë për qëllim të shkaktojnë panik e pasiguri tek qytetarët e vendit, në veçanti të qytetarëve tanë të etnisë serbe, andaj spekulimet e tilla nuk duhet të gjejnë vend në mesin tonë.

Policia do të vazhdojë të zbatojë ligjin, përkundër sfidave me të cilat përballemi edhe gjatë kryerjes së detyrave të tyre në veri të vendit. Por, ju lutem të kuptoni drejtë situatën siç po e kuptojnë edhe vet zyrtarët policor. Ata janë profesionistë e të trajnuar për menaxhim të çdo situate andaj nuk mund të minohet ky fakt e të flitet për lodhje apo dorëzim apo keqësim të gjendjes së tyre.

Gjendja e zyrtarëve policor në Jarinje dhe Leposaviq është spekuluar si e rënduar e deri edhe në refuzim të ushqimit dhe kjo është jo vetëm e pavërtetë por edhe papranueshme e edhe e rrezikshme.

Zyrtarët policor në Jarinje të cilët kanë pasur sëmundje kronike dhe shqetësime të tjera shëndetësore janë tërhequr falë bashkëpunimit me KFOR. Nuk kanë pasur nevojë për tretman mjekësor, ndërsa të tjerët vazhdojnë të mbeten aty, në krye të detyrës.

Por, sërish, ritheksoj nevojën e largimit të barrikadave. Zyrtarët policor duhet të kthehen në normalitet dhe në angazhimet e tyre sipas misionit që kanë. Kjo duhet të ndodhë sa më parë, ose të njoftohemi për pamundësinë e këtij veprimi.

Pas kësaj, ne do të marrim masat e nevojshme sipas planeve operacionale që tashmë ka përgatitur Policia e Kosovës. Kjo thirrje pa diskutim vlen edhe për qytetarët tanë të cilët kanë mbetur të bllokuar e të cilët duhet t’i kthehen jetës së tyre normale; pa bllokime, kërcënime e shantazhe nga grupet kriminale të dirigjuara nga Beogradi.

Policia e Kosovës ka në gatishmëri të gjitha kapacitetet e saj dhe vepron në gjithë territorin e Republikës. Policia e Republikës së Kosovës mban përgjegjësinë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e saj dhe si e tillë, bashkë me njësitë e saj të nevojshme, do të jetë kudo ku ka nevojë, në veri, jug, lindje a perëndim.

Policia e Republikës së Kosovës është profesioniste dhe pasqyron shumëllojshmërinë etnike, përkundër dorëheqjeve të ish-zyrtarëve policor serb nga Stacioni i Veriut.

Veprimet e Policisë do të vazhdojnë të udhëhiqen nga parimet si trajtimi i barabartë dhe i drejtë i të gjithë personave, respektimi i të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, paanshmëria dhe neutraliteti.

Përkundër sfidave dhe pritjeve me të cilat po ballafaqohet, zyrtarët tanë policor janë në nivelin më të lartë të detyrës dhe në shërbim të qytetarëve.

Në fund dhe nga këtu, dua të ju siguroj që jemi maksimalisht të angazhuar që të ofrojmë siguri për vendin e për qytetarët dhe jemi në koordinim të ngushtë me partnerët tanë që rendi dhe ligji të mbizotërojë në çdo cep të Kosovës.

Po ashtu tashmë sapo më njoftuan, se rreth orës 14:00, një 14 vjeçar, banor i Kroit të Vitakut është sulmuar nga grupet kriminale duke shkuar në lagjen ku banon. Fëmija ka lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor.

Policia e Kosovës është duke u angazhuar maksimalisht në zbardhjen e këtij rasti, dhe kam edhe porosi për të gjithë ata kriminel, që ne do të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet e nevojshme të Policisë së Kosovës që ata të identifikohen dhe sa më parë të sillen para drejtësisë, që të përgjigjen për këto veprime kriminale të tyre.

Faleminderit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat