LVV lavdëron punën e Kuvendit gjatë viti 2022

Aktuale

LVV lavdëron punën e Kuvendit gjatë viti 2022

Më: 27 dhjetor 2022 Në ora: 16:45
Foto nga vendngjarja

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe Adnan Rrustemi, deputet i këtij subjekti politik, në një konferencë me gazetarë, folën për aktivitetin e Kuvendit brenda vitit kalendarik 2022, ku, sipas tyre, ishte një vit me aktivitete të ngjeshura e që janë miratuar një numër i konsiderueshëm projektligjesh.

Kusari-Lila, mes tjerash, tha se në Kuvendin e Kosovës janë miratuar 102 projektligje në dy lexime, të miratuara dhe të përmbyllura, derisa 49 projektligje, aktualisht janë në procedurë, ato janë miratuar në lexim të parë dhe tani presin shqyrtimin në lexim të dytë, në sesionin pranveror të vitit 2023.

Ndërkaq deputeti Rrustemi, për punën e Kuvendit tha se është punuar më me produktivitet se ndonjëherë më parë, sikundër tha ai, në kuptimin e miratimeve të ligjeve, teksa përmendi ligjet e reformës në drejtësi si një nga ligjet më të rëndësishme që është miratuar në Kuvend, krahas atyre që ishin në agjendë evropiane.

Ndërkaq Kusari-Lila foli për “Ligjin e Kodit Civil”, që, sipas saj, është një procedurë që do të trajtohet në vitin 2023, derisa e vlerësoi si një nga ligjet më të rëndësishme pas Kushtetutës së Kosovës, që ka të bëjë me  rregullimin e jetës së qytetarëve prej lindjes deri në vdekje, “ndaj themi se Kodi Civil duhet të ketë vëmendjen ashtu siç e meriton në të gjitha komponentet e këtij ligji”.

Kurse për situatën në veri, Kusari-Lila tha se të gjitha ngjarjet tjera dhe këto tani që lidhen me vendosjen e barrikadave synim e kanë parandalimin e arritjes së marrëveshjes, që në qendër ka njohjen reciproke mes Kosovës e Serbisë.

“Në momentin kur dialogu është kthyer në binarë të diskutimit mbi parimet dhe mbi procesin, i cili ka në qendër njohjen e ndërsjellë ka filluar rezistenca dhe bojkoti i dukshëm tani për të gjithë, nga ana e Serbisë”, tha Kusari-Lila, derisa shtoi se ngjarjet në katër komunat në veri të Kosovës janë ato të cilat po provokohen drejtpërdrejtë nga Serbia për një destabilitet, për të shmangur fokusin nga përgjegjësia që bie mbi Aleksandar Vuçiqin.

“Barrikadat duhet të hiqen sa më parë, nuk është e udhës të japim këtu data se kur do të ndodhë e që është edhe qëndrim i Bashkësisë Ndërkombëtare, qoftë këtu brenda Kosovës, qoftë jashtë saj”, deklaroi Kusari-Lila, duke shtuar se një situatë e tillë nuk i konvenon askujt përveç atyre që dëshirojnë destabilitet në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat