Aktakuzë ndaj ish-deputetit të AAK-së për falsifikim të rezultateve të votimit

Aktuale

Aktakuzë ndaj ish-deputetit të AAK-së për falsifikim të rezultateve të votimit

Më: 30 dhjetor 2022 Në ora: 14:51
Haxhi Shala

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër ish-deputetit të AAK-së, Haxhi Shala për falsifikim të rezultateve të votimit.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 7 personave në lidhje me Zgjedhjet e Parakohshme të Përgjithshme Parlamentare për Kuvendin e Kosovës të mbajtura me datë 14 shkurt 2021

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton opinion publik se lidhur me zgjedhjet e Parakohshme të Përgjithshme Parlamentare për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më datën 14 shkurt 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj 7 personave, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale Falsifikimi i rezultateve të votimit, e sanksionuar me nenin 216 të KPRK-së.

Në mesin e të akuzuarve janë:  Haxhi Shala Ish deputet i Kuvendit të Kosovës gjatë legjislaturës së vitit 2019 nga radhët e subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK),  të pandehurve S. M., A.K., I. H., G. H., dhe D. G. që të gjithë zyrtarë të Qendrës për Numërimin e Rezultateve të KQZ-së dhe të pandehurit P.P”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.

Hetimet kanë vërtetuar se të pandehurit, kundërligjshëm ia kanë shtuar 65 vota kandidates për deputete M. H. S. nga radhët e AAK-së, kurse kandidatit H. Sh. ia kanë shtuar 3 vota.

Hetimet arritën të dëshmojnë përfshirjen e kandidatit H. Sh në kryerjen e veprës penale, mirëpo nuk arritën të sigurojnë prova të mjaftueshme për të vërtetuar dyshimin e bazuar se M. H. S. ishte e përfshirë në kryerjen e veprës penale.

Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat