Halimi: VV merret me propagandë në vend që të ofrojë zgjidhje për problemet e qytetarëve

Aktuale

Halimi: VV merret me propagandë në vend që të ofrojë zgjidhje për problemet e qytetarëve

Më: 11 janar 2023 Në ora: 14:06
Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, sot në një konferencë për media është deklaruar rreth videos së publikuar nga VV, duke thënë se partia në pushtet po merret me propagandë në vend që të ofrojë zgjidhje.

“Në sfidat që po kalojmë, partia në pushtet merret me propagandë në vend së të ofrojë zgjidhje për problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët tanë. Dje ishim dëshmitarë se si pushteti që i ka krejt, iu kthye zanatit të vet, si të vetmin mjet të artikulimit politik. Propaganda e partisë në pushtet vazhdimisht i kthehet të kaluarës për t’i ikë përgjegjësive dhe ta mbulojë paaftësinë qeverisëse. Mungesën e rezultateve të partisë në pushtet më së miri i përjetojnë qytetarët në përditshmërinë e tyre. Në ekonomi – dështim.  Në shëndetësi – dështim. Në arsim – dështim”, ka thënë ajo.

Halimi tha se “lista e dështimeve është e gjatë”.

Lista e dështimeve është shume e gjatë. Kur flasim për policinë, s’ka drejtor me muaj të tërë. Kur flasim për energji, ka 72 mijë euro humbje energjie çdo ditë; Kur flasim për drejtësinë, kemi vjedhje provash në Institutin e Mjekësisë Ligjore; Kur flasim për nepotizëm, këto dy vite ka pasur punësime masive të familjarëve të ministrave dhe deputetëve të pushtetit, duke kulmuar me superskandalin e punësimeve në KEK. Kushërinjtë, me sa duket, nuk ishin vetëm për dasma. Ishin edhe për borde, për ndërmarrje publike, e për pozita të tjera shtetërore”, ka deklaruar Halimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat