Çeku thotë se janë 21 raste të të miturve veteranë të luftës

Aktuale

Çeku thotë se janë 21 raste të të miturve veteranë të luftës

Më: 12 janar 2023 Në ora: 00:00
Agim Çeku

Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku deklaroi se nuk ka asnjë provë që dikush ka dhënë mjete financiare për t'u bërë veteran.

Madje, ish-komandati i UÇK-së dhe ish-kryetari i Komisionit për Veridikimin e Statusit të Veteranit tha se kanë kërkuar edhe dëshmi rreth kësaj çështje, mirëpo siç tha ai, deri më tani nuk ekzistojnë ato.

“Nuk e besoj që dikush ka dhënë mjete financiare për t’u bërë veteran. Flitet, por nuk kemi prova për një gjë të tillë. Ne nuk e kemi asnjë rast që dikush ka dërguar ndonjë letër, qoftë në Gjykatë, qoftë në Prokurori, apo qoftë edhe mua si komision, e që na kanë thënë e keni bërë dikë veteran pa qenë, kjo nuk ka ndodhur kurrë. U kemi thënë, sillni emrat e dëshmitë, mirëpo askush nuk ka sjellë asgjë”, u shpreh Çeku.

Tutje, Çeku tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë ushtri vullnetare, prandaj sipas tij, nuk ka pasur asnjë seleksionim për përzgjedhjen e personave.

Derisa shtoi se aktualisht janë vetëm 21 raste të të miturve që kanë qenë pjesë e luftës.

“Këto 21 raste, për gjysmë dite Prokuroria mund t’i sqarojë. E kanë pasur mundësinë t’i sqarojnë edhe në atë kohë, por nuk kanë dashur”, theksoi Çeku.

I pyetur se kujt po i konvenon që ta pengojë tërë procesin e pastrimit të listave, Çeku tha se ka faktorë të ndryshëm vendorë e ndërkombëtarë që dëshirojnë ta distancojnë historinë e Kosovës nga UÇK-ja.

“Produkt i kësaj përpjekje, është edhe Gjykata Speciale”, potencoi Çeku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat