Peter Stano demanton takimin e mundshëm Kurti-Vuçiq në muajin mars

Aktuale

Peter Stano demanton takimin e mundshëm Kurti-Vuçiq në muajin mars

Më: 14 janar 2023 Në ora: 09:54
Pamje nga dialogu në Bruksel

Zëdhënësi kryesor për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë në BE, Peter Stano, ka demantuar raportimin e medieve, se në muajin mars të këtij viti parashihet të ketë finalizim të marrëveshjes Kosovë-Serbi.

BE ka deklaruar se ata intensivisht janë të angazhuar për t’i ndihmuar të dyja palët për vazhdimësi të dialogut, mirëpo kanë shtuar se nuk duan të komentojnë sa i përket këtyre spekulimeve.

“Ne nuk komentojmë spekulimet që qarkullojnë rreth një afati kohor të supozuar për Dialogun. BE-ja vazhdon të punojë intensivisht për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë të ecin përpara, por çdo progres dhe afate kohore varen plotësisht nga ato dhe aftësia e tyre për të gjetur konsensusin dhe kompromisin e nevojshëm”, thuhet në përgjigjen e BE.

Njëherit, në përmbyllje të kësaj përgjigje, BE ka theksuar se çdo takim i dialogut do të njoftohet në kohë të përshtatshme.

Kujtojmë se Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas një takimi me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se nuk ka kohë për të humbur dhe duhet të shfrytëzohet momentumi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Ai tha se deri në mars të vitit 2023 do të shohin se sa progres po bëhet në këtë proces dhe kah po shkon i njëjti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat