Fajon flet për situatat e fundit në vend: Të gjithë jemi të shqetësuar, të fillojnë negociatat për planin franko-gjerman

Aktuale

Fajon flet për situatat e fundit në vend: Të gjithë jemi të shqetësuar, të fillojnë negociatat për planin franko-gjerman

Më: 16 janar 2023 Në ora: 07:12 Përditësuar në ora: 11:45 më 16.01.2023
Tanja Fajon

Gërvalla: S’do të kërkojmë rrugica për ta implementuar Asociacionin, ai e shkelë Kushtetutën

Kryediplomatja Donika Gërvalla tha se Asociacioni nuk mund të implementohet, pasi e shkelë Kushteutën e vendit.

Duke kërkuar që dialogu të fillojë me intensitet, Gërvalla tha në një konferencë me homologen e saj sllovene, Tanja Fajon se kërkesat tjera të Serbisë, përveç Asociacionit, do të mund të shqyrtoheshin, raporton Gazeta Express.

Kjo Qeveri e Republikës së Kosovës nuk do të kërkojë rrugica për të implementuar një Asociacion që e shkelë Kushteutën tonë”, tha Gërvalla.

Asociacioni për të cilin palët janë marrë vesh në Bruksel, ai nuk mund të implementohet në vendin tonë sepse e shkelë Kushtetutën”, tha ajo ndër tjerash.

Nëse ka gatishmëri nga ana e Beogradit të t’i dhënë të drejtave pakicave në Serbi, Gërvalla tha se “jemi dakord të bisedojmë”.

Nuk mund të kërkoni nga Qeveria e Republikës së Kosovës ta shkelë Kushtetutën e saj”, tha ajo.

Gërvalla: Në mëngjes fola me Martin Berishajn, ambasadori nuk shkarkohet për shkak të fjalëve

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryedilplomaten sllovene, Tanja Fajon u pyet sërish për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili u implikua në një skandal të madh financiar për të cilin raportuan mediat në Slloveni dhe Kroaci.

Gërvalla tha se vazhdon të kërkojë informacione zyrtare nga disa shtete mbi këto dyshime, ndërsa konfirmoi edhe një herë se shkarkimi i ambasadorit nuk është duke u konsideruar, raporton Gazeta Express.

Ambasadori nuk shkarkohet për shkak të spekulimeve të fjalëve. Ambasadori shkarkohet në momentin kur ka arsye faktike se pse ambasadori duhet të shkarkohet. Deri në këtë moment nuk kam asnjë informacion të vetëm që shkelje të tilla kanë ndodhur”, tha Gërvalla.

Kryediplomatja tha se sot në mëngjes ka folur me ambasadorin Berishaj, duke treguar se ai ka kërkuar që ta mbajnë një konferencë të përbashkët për media për t’iu përgjigjur pyetjeve.

“Sot në mëngjes kam folur me ambasadorin Berishaj dhe ai ka treguar gatishmërinë që ose me shkrim, ose ndoshta, po të kemi mundësi ta sjellim, ta kemi një konferencë të përbashkët për shtyp edhe aty të përgjigjet”, tha Gërvalla.

Fajon: Të gjithë jemi të shqetësuar, të fillojnë negociatat për planin franko-gjerman

Ministrja e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon tha nga Prishtina se “të gjithë jemi të shqetësuar për rreziqet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, ndërsa shtoi se Kosova duhet të përpiqet t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë.

“Duhet të fillojnë negociatat në lidhje me propozimin e Bashkimit Europian lidhur me normalizimin e plotë të marrëdhënieve”, tha ajo në një konferencë të përbashkët për media me kryediplomaten kosovare, Donika Gërvalla, pas takimit që patën.

Sllovenia është mike e Kosovës, tha Fajon.

“Unë e njoh Kosovën dhe Kosovës do t’i ofrojmë mbështetje për integrim”, tha ajo.

Fajon përmendi liberalizimin e vizave, duke thënë se vendimet e fundvitit ishin “sukses i përbashkët”.

“Besoj se do të jetë hap i mirë për t’u integruar në Bashkimin Europian”, tha ajo.

Kryediplomatja sllovene Fajon sot vizitë në Kosovë, takon krerët e shtetit

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e ka pritur mbrëmë në aeroport Tanja Fajon, zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme të Sllovenisë.

Fajon do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Kosovë ku do të takohet sot me krerët e shtetit.“Të dy vendet janë të vendosur të thellojnë miqësinë e tyre tradicionale dhe do të diskutojnë për intensifikimin e bashkëpunimit në rajon dhe në #Evropë”, thuhet në njoftimi e e MPJ-së së Kosovës në Twitter.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Sllovenisë ka deklaruar se Fajon dhe Gërvalla-Schwarz pritet të diskutojnë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe të shteteve dhe bashkëpunimin ekonomik, politikën e brendshme të Kosovës, si dhe situatën në rajon.

Pos takimit me Gërvallën, Fajon sot do të takohet me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, dhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Kosova dhe Sllovenia ruajnë raporte të mira, sidomos në sferën tregtare.

Sllovenia është një nga vendet që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ka ofruar mbështetje të hapur në integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat