Xhabir Zharku shpëton nga dënimi, i vjetërsohet aktakuza për korrupsion

Aktuale

Xhabir Zharku shpëton nga dënimi, i vjetërsohet aktakuza për korrupsion

Më: 16 janar 2023 Në ora: 13:47
Xhabir Zharku

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka refuzuar aktakuzën e Prokurorisë ndaj Xhabir Zharkut, ish-kryetar i Komunës së Kaçanikut, i cili akuzohej për korrupsion.

Aktgjykimi ndaj Zharku u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi.

Sipas aktgjykimit, gjyqtari ka bërë ricilesimin e veprave penale sepse veprat në akuzë janë kryer në vitet 2008-2010 me Kodin e Përkohshëm, andaj trupi gjykues ka vendos me kodin më të favorshëm bazuar në dispozitat e kodit.

“Këto vepra pas ricilesimit me kodin e favorshëm kanë rezultuar se të njëjtat kanë arritur parashkrim absolut, sepse ka kaluar dyfishi i kohës se kryerjes se veprës penale”, ka thënë gjyqtari Idrizi në arsyetimin e vendimit.

Shpenzimet e procedurës bien në barrë të mjeteve buxhetore, ndërsa e dëmtuara në këtë rast, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), zyra rajonale në Gjilan për të realizuar kërkesën pasurore-juridike udhëzohet në kontest civil, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndryshe, sipas aktakuzës, më 23 tetor 2008 në Kaçanik, Xhabir Zharku, si person zyrtar– kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit, ka shpërdorur pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që në kundërshtim me Ligjin për Procedurën e Dhënies Koncesioneve 02/1,-44, kishte marrë vendim me numër 7311/2008, me të cilin kishte lejuar ndërtimin e objektit për banim kolektiv dhe lokale afariste në ngastrën kadastrale numër 650 zona kadastrale Kaçanik, pronë e komunës, e cila iu ka dhënë në shfrytëzim të përhershëm NN “Çlirimtarët“, me seli në Kaçanik, sipas të cilës kontratë komuna do të fitonte 20% në vijë vertikale të objekteve banesore, kurse pjesa tjetër e objektit do të ishte pronë në shfrytëzim të përhershëm të NN “Çlirimtarët“, pa i zbatuar procedurat që parashihen sipas Ligjit për Procedurën e Dhënies së Koncesioneve numër 02/1,-44, i cili ka qenë në fuqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat