​Ministrja Gërvalla kujtoi të atin: Fillimisht u kthye në pikëllim dhe zemërim, më pas në frymëzim

Aktuale

​Ministrja Gërvalla kujtoi të atin: Fillimisht u kthye në pikëllim dhe zemërim, më pas në frymëzim

Më: 18 janar 2023 Në ora: 00:16
Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në përvjetorin e vrasjes së babait të saj dhe bashkëpunëtorëve ka thënë se atentati ndaj Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, fillimisht u kthye në pikëllim dhe zemërim, më pas në frymëzim dhe mobilzim për t'u kthyer përfundimisht në ngazëllim dhe lumturi për lirinë e fituar me kaq sakrifica.

Ajo ka thënë po ashtu se, Së bashku me Bardhoshin, i cili mban emrin e babait, por edhe të gjyshit të tij, sot rifreskuam kujtimet e fëmijërisë, të ndërlidhura kaq ngushtë me familjet tona, me Dubovikun, Prishtinën, me largimin nga Kosova, vitet e kaluara së bashku në Gjermani, ndarjen e sërishme, gjyshen tonë Nënën Ajshe dhe nënat tona, të cilat janë heroinat e vërteta të fëmijërisë sonë dhe të cilat vërtet nuk u përkulën kurrë përballë stuhive të egra të jetës.

Postimi i plotë:

I skalitur në ndërgjegjen mbarëshqiptare si një ditë e hidhur dhe e acartë, 17 janari i vitit 1982, atentati ndaj Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, fillimisht u kthye në pikëllim dhe zemërim, më pas në frymëzim dhe mobilzim për t'u kthyer përfundimisht në ngazëllim dhe lumturi për lirinë e fituar me kaq sakrifica.

Të rrethuar me familjarë dhe banorë të fshatit, miq të Babit dhe familjes, përfaqësues të ndryshëm të institucioneve të Republikës dhe mekanizmave të ndryshëm shoqërorë, 17 janarin e këtij viti e kaluam në Dubovik, të rrethuar edhe me kujtime, biseda, muzikë dhe art bashkëkohor.

Së bashku me Bardhoshin, i cili mban emrin e babait, por edhe të gjyshit të tij, sot rifreskuam kujtimet e fëmijërisë, të ndërlidhura kaq ngushtë me familjet tona, me Dubovikun, Prishtinën, me largimin nga Kosova, vitet e kaluara së bashku në Gjermani, ndarjen e sërishme, gjyshen tonë Nënën Ajshe dhe nënat tona, të cilat janë heroinat e vërteta të fëmijërisë sonë dhe të cilat vërtet nuk u përkulën kurrë përballë stuhive të egra të jetës.

Kujtuam edhe Gjergj Kastriotin në 555-vjetorin e vdekjes së tij, deputetin Smajl Hajdaraj, të cilin zgjodhën ta vrisnin në vitin 2002, pikërisht në 20-vjetorin e 17-janarit të vitit 1982, duke na përçuar mesazhin që edhe në Kosovën e lirë vazhdojnë të shëtisin lugetërit e së kaluarë. Vrasësit e deputetit Hajdaraj dhe shumë personaliteteve politike dhe shoqërore, të vrarë pas lirisë së fituar, ende nuk janë vënë para drejtësisë duke e bërë kështu të pamundur shërimin e kësaj plage të tmerrshme në shoqërinë tonë.

Falënderojmë Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani dhe Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca për respektin e treguar përmes ardhjes së tyre në Dubovik. Falënderojmë gjithashtu të gjithë ministrat, deputetët, përfaqësuesit e partive politike, të shoqërisë civile, gazetarët, mësuesit, veprimtarët politikë të të gjitha periudhave, ushtarët e Gardës sonë, anëtarët e Policisë së Kosovës, veteranët e luftës së fundit çlirimtare, shokët e rinisë dhe bashkëveprimtarët e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës. Në mënyrë të veçantë falënderojmë banorët e fshatit Dubovik dhe fëmijët e shkollës "Jusuf Gërvalla". Të kaluara së bashku, ditët e përkujtimit të dhembjes dhe krenarisë fitojnë një dimension të veçantë.

Posaçërisht falënderojmë Alban Beqirajn dhe kolegët e tij , autorin Mentor Berishaj, kameramanin Kushtrim Haxhaj, aktorin Afrim Muçaj për instalimin artistik, i cili sot gjatë gjithë ditën është shfaqur në Kullën e Gërvallajve. Një pjesë të vogël të këtij instalimi mund ta shihni më poshtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat