​Digjitalizohet raportimi i reformave të administratës publike

Aktuale

​Digjitalizohet raportimi i reformave të administratës publike

Më: 20 janar 2023 Në ora: 10:42
Foto ilustrim

Ministria e Punëve të Brendshme, ka njoftuar se është bërë digjitalizimi i procesit të raportimit dhe monitorimit të zbatimit të reformave të administratës publike.

"Një nga prioritetet kryesore të qeverisë së Republikës së Kosovës janë reformat e administratës publike, duke përfshirë modernizimin dhe digjitalizimin e sektorit. Qeveria e Republikës së Kosovës angazhohet për të modernizuar dhe forcuar administratën publike, në mënyrë që qytetarët e vendit të shërbehen siç duhet dhe efektivisht nga institucionet publike", njofton Ministria e Punëve të Brendshme.

Muajin e kaluar (28 dhjetor 2022) Qeveria e Republikës së Kosovës miratoi Strategjinë e re për Reformat e Administratës Publike 2022-2027 dhe Planin e Veprimit 2022-2024. Strategjia e re paraqet një vizion të ri të qeverisë për administratën publike, që ka në qendër qytetarin, dhe ndër të tjera fokusohet në dixhitalizim, forcimin e llogaridhënies menaxheriale, përmirësimin e shërbimeve publike, si dhe uljen e barrës administrative.

Për të siguruar zbatimin efektiv të reformave të planifikuara të qeverisë, Ministria e Punëve të Brendshme ka finalizuar punën për dixhitalizimin e monitorimit dhe raportimit për zbatimin e veprimeve reformuese nga njësitë përgjegjëse të qeverisë. Kjo do të përmirësojë kapacitetet e qeverisë për të zbatuar masat e planifikuara reformuese në mënyrë efektive, dhe do të rrisë përgjegjshmërinë dhe transparencën e zbatimit të reformave të administratës publike.

Platforma e re, dixhitalizon një proces të raportimit dhe mbledhjes së të dhënave nga njësitë përgjegjëse për zbatimin e masave reformuese, i cili kryesisht bëhej manualisht më parë, gjë që ka ndikuar në cilësinë e të dhënave dhe të raporteve të monitorimit për zbatimin e reformave të administratës publike. Platforma e re i mundëson qeverisë të koordinojë më mirë zbatimin e planit të veprimit për reformimin e administratës publike dhe të rrisë llogaridhënien dhe përgjegjësinë institucionale. Platforma e re dixhitale për monitorimin dhe raportimin e reformave në administratën publike, do të menaxhohet nga Departamenti për Reformat e Administratës Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat