​Rritja 100% e tatimit, profesori Bajra: Do të thellojë varfërinë

Aktuale

​Rritja 100% e tatimit, profesori Bajra: Do të thellojë varfërinë

Më: 24 janar 2023 Në ora: 14:20
Ujkan Bajra

Ngritja e çmimit të tatimit në pronë në 100 për qind po konsiderohet të jetë e papërballueshme për qytetarët. Këtë shtrenjtim, deri tash e kanë konfirmuar Komuna e Prishtinës, e cila ka thënë se vlerësimi i faturave është bërë nga Ministria e Financave.

Profesori universitar Ujkan Bajra ka vlerësuar se ka rritje enorme të bazës tatimore, ku për vitin 2023 është rritur gati 100% më shumë se dy vitet e mëparshme.

Profesori Bajra thotë se kjo ngritje e tatimit 100 për qind do të thellojë varfërinë në vend.

Bajra: Kjo ngritje e tatimit 100% do të thellojë varfërinë në vend

“Ligji për tatimin në pronë parasheh qartë kompetencat dhe përgjegjësitë, edhe të nivelit qendror, dhe të nivelit lokal. Rritja e cila ka ndodhur për vlerësimet tatimore për vitin 2023 janë jashtëzakonisht të larta, janë mbi 100% e vlerës krahasuar me atë të vitit paraprak 2022. Aq sa e pash ndryshime ka pasur në bazën, në vlerën e të gjitha njësive që hyjnë edhe pronar rezidenciale dhe parcelat e tokave, po flas për komunën e Prishtinës. Kështu që e vërejta edhe unë që ka një rritje jashtëzakonisht të lartë, se sa është e përballueshme për qytetarët marrë parasysh shkallën e lartë të inflacionit dhe rritjen e vazhdueshme të çmimeve, kjo rritje e normës për bazën tatimore që me këtë rritet edhe tatimi, është shumë e lartë dhe e papërballueshme. Pres që me këtë shtrenjtim të thellohet varfëria në vend dhe të vështirësohet jeta e qytetarëve, edhe ashtu të rënduar nga kriza e inflacionit”, thekson ai.

Bajra ka shtuar se kjo rritje ka ardhur nga Ministria e Financave, pasi që sipas tij, kjo ministri është autoriteti dhe rregullator i vetëm i tatimeve.

Bajra: Ministria është autoriteti rregullator i tatimeve

“Në kuadër të Ministrisë së Financave, është Departamenti i Tatimit në pronë dhe nëse i qasemi çfarëdo lidhjeje të faturës, ajo na lidhë me këtë departament. Pra, është e thjesht për të kuptuar që autoriteti rregullator është Ministria e Financave, ndërsa komunat luajnë rolin e administrimit të pjesës së tatimit në pronë për inkasimin e këtyre mjeteve dhe përdorimin e tyre për rritjen e mirëqenies e infrastrukturës të qytetarëve të komunës”, tha ai.

Profesori Bajra ka dëshmuar me faturat e tij shtrenjtimin e tatimit në pronë.

Po ashtu dhjetëra qytetarë kanë reaguar në rrjetet sociale duke e quajtur si vendim absurd.

Për këtë rritje, Komuna e Prishtinës e ka lënë fajtore Ministrinë e Financave. Ndërsa këta të fundit kanë thënë se vlerësimin e kanë bërë ata por shkallën e tatimin e përcaktojnë komunat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat