Gashi: Vlera e re e koeficientit e promovon varfërinë në Kosovë

Aktuale

Gashi: Vlera e re e koeficientit e promovon varfërinë në Kosovë

Më: 1 shkurt 2023 Në ora: 21:36
Ali Gashi

Koeficienti i ri i pagave në vlerë prej 105 eurove, nuk u prit mirë nga Sindikata e Administratës Publike.

Ali Gashi nga kjo sindikatë, vlerësoi se me këtë vlerë të koeficientit promovohet vetëm varfëria.

“Jemi të befasuar me këtë vlerë të koeficientit dhe për ne si Federatë Sindikale dhe Administratës Publike, konsiderojmë që kjo vlerë e koeficientit  pothuajse është një rritje kozmetike, duke mos përjashtuar disa sektorë që kanë ulje të pagave. Sido që të jetë, ky është një qëndrim i Qeverisë, kjo vlerë e koeficientit dhe vetë Ligji mbi Pagat ka ndjekur një trajektore të jotransparencës dhe si rezultat i kësaj kemi një vlerë të koeficientit jo transparente, jo të pranueshme dhe sinqerisht është shokuese për ne. Këtë vlerë të koeficientit mund ta quaj vlerë varfanjake, që promovon varfërinë dhe sinqerisht është vështirë të binden gjeneratat e reja që ta shohin si mundësi punësimin në institucionet publike në Kosovë”, deklaroi Gashi në emisionin “Këndi i Debatit”.

Sipas Gashit, ky ligj është dashur ta ketë edhe një mision tjetër, pasi sipas tij, Kosova duhej të kthehet në një treg atraktiv, ku të rinjtë dhe të rejat ta shohin si mundësi ta japin kontributin e tyre profesional në Kosovë.

“Duke e marrë parasysh gjendjen e rënduar ekonomike, inflacionin, rritjen e çmimeve dhe duke e marrë parasysh trendin e ikjes dhe largimi i zyrtarëve publikë nga vendet e punës është shokuese”, shtoi tutje ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat