​Publikimi i koeficientit, KGjK: Ndërhyrje e dëmshme në pavarësinë dhe funksionimin e gjyqësorit

Aktuale

​Publikimi i koeficientit, KGjK: Ndërhyrje e dëmshme në pavarësinë dhe funksionimin e gjyqësorit

Më: 2 shkurt 2023 Në ora: 11:50
KGJK

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka reaguar pas publikimit të koeficientit të Ligjit të Pagave nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Sipas KGjK-së, Ligji për pagat në sektorin publik dhe vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për vlerën e koeficienteve, paraqet një ndërhyrje të dëmshme në pavarësinë, integritetin dhe mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor.

“Një ndërhyrje e tillë në sistemin gjyqësor, është në kundërshtim të plotë me dispozitat kushtetuese, ligjore si dhe standardet evropiane që u garantojnë gjyqtarëve një sistem të pagave të parashikueshëm dhe nuk lejojnë uljen e pagave. Për më tepër, një qasje e tillë ndaj gjyqësorit është në kundërshtim edhe me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, Ligjin për Gjykatat, Qëndrimet e Komisionit të Venecias dhe Rekomandimet e Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropian”, thuhet në reagim.

KGjK ka shprehur shqetësimin që as Kuvendi dhe as Qeveria nuk kanë respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për sigurimin e pacenueshmërisë së pagave të sistemit gjyqësor, për çka kanë ftuar Avokatin e Popullit që sipas tyre, të veprojë në kuadër të kompetencave ligjore duke kundërshtuar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese.

Krejt në fund thuhet se Këshilli Gjyqësor i Kosovës, është i vendosur që të ndërmerr të gjitha veprimet kushtetuese dhe ligjore për të mbrojtur dhe promovuar pavarësinë institucionale dhe funksionale të sistemit gjyqësor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat