Avokati Skender Musa: Vendimi i Speciales për Haradinajn e Gucatin është tallje

Aktuale

Avokati Skender Musa: Vendimi i Speciales për Haradinajn e Gucatin është tallje

Më: 2 shkurt 2023 Në ora: 18:48
Avokati, Skender Musa

Avokati, Skender Musa e ka cilësuar si të padrejtë vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë për uljen për tre muaj të dënimit për ish-krerët e OVL UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Sipas Musës, ky proces ka pasur shumë mangësi, derisa tha se është e pa imagjinueshme të dënohet një qytetar duke pretenduar që i ka frikësuar dëshmitarët.

“Qëllimi nuk e di ku ka qenë por Gjykata nuk guxon të ketë qëllim frikësimin e njerëzve që ta shprehin mendimin e lirë të tyre. Në rast se dikush kërcënohet në Republikën e Kosovës janë institucionet e Kosovës që do të veprojnë dhe do ta arrestojnë kërcënuesin, mirëpo nuk mund të arrestohet dikush me qëllim që të frikësohen personat e tjerë.  Unë mendoj që në këtë çështje penale nuk është vërtetuar se këta dy persona kanë kryer veprën penale. Shumica kanë pritë që shkalla e dytë do t’i evitoj shkeljet e shkallës së parë dhe nuk kanë pritë që do të jetë kësi vendimi që për mendimin tim është tallje”, tha ai.

Musa tha se është i habitur se si nuk është përmendur asnjë nga dëshmitarët të cilët Specialja pretendohen së janë ndjerë të frikësuar.

“T’ju  hiqen nga tre muaj pa i treguar rrethanat pse i hoqen nga tre muaj, nuk e di as ku i murrën ato arsye se pse bash nga tre muaj me ua hjek. Dhe në anën tjetër të thirren në mënyrë arbitrare se këta për shkak të deklarimeve të tyre publike janë frikësuar dëshmitarët pa e përmend një dëshmitar të vetëm që është frikësuar”, shtoi tutje ai.

Ndryshe sot, Gjykata e Apelit ka marrë vendim për aktgjykimin e parë në çështjen ndaj ish-krerëve të OVL UÇK-së, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Apeli ka ulur dënimin nga katër vjet e gjysmë burgim, në katër vjet e tre muaj ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim, dhe me gjobë prej 100 eurosh për secilin.

Apeli ka vendosur që ata të mbesin në paraburgim në Gjykatën Speciale deri në plotësimin e kushteve për dërgim të vuajte të dënimit në Kosovë ka thënë gjyqtarja në këtë seancë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat