“Dëgjova krisma armësh, pati njolla gjaku”, gazetari Selimi tregon nga vendi i ngjarjes për përleshjen që ndodhi në Fushë-Kosovë

Aktuale

“Dëgjova krisma armësh, pati njolla gjaku”, gazetari Selimi tregon nga vendi i ngjarjes për përleshjen që ndodhi në Fushë-Kosovë

Më: 9 shkurt 2023 Në ora: 23:37
Ilustrim

Sot në një lokal në Fushë-Kosovë ka ndodhur një konflikt mes dy personave ku pati edhe të shtëna armësh.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Gazetari Alban Selimi ka treguar se si ka ndodhur e gjithë ngjarja. Ai tha se përderisa po pinin kafe në një lokal në Fushë-Kosovë u dëgjua një zhurmë nga banaku.

Ai tha se kishin filluar personat e konfliktuar ta gjunin njëri tjetërin me shishe qelqi.

“Filluan gjuajtjet me shishe qelqi dhe gjësende tjera mes dy personave që nuk i kisha parë e as takuar ndonjëherë. Për një moment kur fyemjet e acarimet u përshkallëzuan dhe me mikun tim u përgatitëm të dalim jashtë, personi prapa banakut nxorri një revole”, tha ai.

Selimi pas kësaj kishte telefonuar policinë e në atë moment edhe dëgjoi krismat e armëve.

“Në ato momente, fillova të telefonoj policinë. Ora ishte 19.59. Derisa flisja me bazën e policisë, krismat u dëgjuan pas shpinde. Jo një herë, as dy…Katër apo pesë herë. Meqë isha në telefon dhe iu flisja bazës, të gjithë nuk pata mundësi të numëroja krismat. Instikti i gazetarit nuk më la të largohesha shumë nga vendi i ngjarjes. Krijova një pikë të sigurtë dhe sapo erdhën policia, shkova bashkë me ta në vendngjarje”, shkroi ai tutje.

Postimi plotë:

Një orë në stacionin e policisë në Fushë Kosovë

Gjersa me një mik timin sonte pinim një kafe në një kafiteri në Fushë Kosovë, për një moment një zhurmë u dëgjua tek banaku.

Filluan gjuajtjet me shishe qelqi dhe gjësende tjera mes dy personave që nuk i kisha parë e as takuar ndonjëherë.

Për një moment kur fyemjet e acarimet u përshkallëzuan dhe me mikun tim u përgatitëm të dalim jashtë, personi prapa banakut nxorri një revole.

Në ato momente, fillova të telefonoj policinë. Ora ishte 19.59. Derisa flisja me bazën e policisë, krismat u dëgjuan pas shpinde. Jo një herë, as dy…Katër apo pesë herë. Meqë isha në telefon dhe iu flisja bazës, të gjithë nuk pata mundësi të numëroja krismat.

Instikti i gazetarit nuk më la të largohesha shumë nga vendi i ngjarjes. Krijova një pikë të sigurtë dhe sapo erdhën policia, shkova bashkë me ta në vendngjarje.

Fotografova gjurmët e gjakut, por nuk e dija se kush ishte i lënduar. Një person u lokalizua nga policia, por ai nuk ishte personi që gjuajti me armë.

Njërit nga policët i thash ja ku paska gjurmë gjaku. I fotografova përnjëherë me ta. Nuk e dija i kujt është gjaku.

Policët filluan të kërkojnë gëzhoja. Meqë kisha ftuar policinë, njëri nga ta më pyeste se ku kishte ndodhur gjuajtja. Kot, nuk kishte asnjë gëzhojë. Mbase arma ishte me gaz dhe personi që e kishte shkrepur atë kishte bërë vetëm për ta frikësuar kundërshtarin.

Me kërkesë të policisë, shkova në stacion policor për të dhënjë një deklaratë.

Kur hyra në stacion të policisë, ora shënonte 20 e 20 minuta. E telefonova familjen se do të zgjasja ndejën për një kohë, pa iu treguar se çka kishte ndodhur e as që isha në stacion policie.

Pas pak sekondash që përfundova telefonatën, një polic më tërhoqi vërejtjen se nuk kisha të drejt të përdorja telefonin.

Edhe ashtu, baterinë e kisha në fund. I thash unë jam dëshmitari. Tha në rregull, nuk ke të drejt të përdorësh telefonin.

Mirë, meqë ishte edhe shenja aty, iu binda kërkesës. Pas 5 minutash hyri një zonjë flokë të verdha dhe më kërkoi letërnjoftimin.

Ishte me rroba civile. Nuk u prezantua fare dhe e pyeta nëse ishte police?!

– Po, police jam – më tha derisa ma mori letërnjoftimin dhe shkoi në një zyrë tjetër.

Unë isha në një dhomëz në hyrje të stacionit. Palët që frekuentonin më shikonin. Nuk e dinin nëse jam viktimë apo kriminel. Një djalosh që filluan ta kontrollojnë aty tek hyrja e stacionit pasi dyshohej të ketë kryer ndonjë vepër më shikonte në sy. Më pak dukej i shqetësuar ai si i dyshuar se sa unë si dëshmitar.

Minutat kalonin por për mua ishin shumë të gjatë. Monotoni e madhe. Herë pas here ngrihesha në këmbë, më shumë si presion që isha mërzitur. Një polic, hapte herë pas here derën. I thash a mund të telefonoja punën time dhe t’iu dërgoja disa fotografi.

Ishte i prerë se jo.

Mirë, a mund të dal e pastaj të kthehem pas një kohe?

– Jo jo. Vetëm prit!

Pas 45 minutash qëndrimi në një ambient me drita të hapura, që dukesha nga rruga dhe isha i ekspozuar sikur të isha një kriminel, m’u kërkua të dal në një dhomëz tjetër.

Tri karrige, një kompjutor dhe një tavolinë e vjetër. Pas një vitrine, dukej një tabelë e përmbysur ku një polic kishte deshifruar se si shënoheshin germa Ë ALT 0203, ALT 137 për ë, ALT 135 për ç, e kështu me radhë.

Sa qëndrova aty, jo më gjatë se pesë minuta një përson e sollën të arrestuar. Ishte i tëri i gjakosur. Aty e kuptova se ishte ai personi që kishte shkrepur armën dhe ishte ai që kishte “ngrënë” dajak dhe ishte tërësisht i përgjakur në fytyrë.

Mua më nxorrën prapë në korridor, pikërisht tek hyrja. Jo aty ku kisha qëndruar më herët, sepse aty e vendosën një të dyshuar. Hetuesi që solli të lënduarin, pyeti nga larg kolegun për se kush isha. I tha që ky është dëshmitari, personi që ishte në kafe dhe thirri policinë.

Hajt, merrja dy llafe dhe të ecë në shtëpi.

Po rri i thash, se tashmë u bë veçse një orë që isha aty dhe ende nuk kishin filluar t’ma merrnin deklaratën.

Pastaj filluan po në korridor të krijojnë një hapësirë ku do të më merrnin dëshminë. Vendosa të mos flas, jo për tjetër por ishte e padrejt që i dyshuari të flasë në ambient komod në zyrë e dëshmitari të lihej sikur njeri pa pikë dinjiteti.

Një epror e pa fytyrën time që ofshante. Pastaj e kuptuan që isha gazetar dhe ndryshuan paksa edhe qasjen. Më futën në një zyrë ku me gjasë ishte baza. Fillova të bëhem kritik por u gëzova aty sepse pashë brenda asaj zyreje se shumë rrugë të frekuentuara të Fushë Kosovës ishin në një ekran të madh e ku gjithçka shihej ‘live’.

Polici i ra shkurt. Më mori deklaratën për disa minuta. Dhe më tha të nënshkruaja. E luta fillimisht ta lexoj deklaratën. Ishte shkruar korrekt. E nënshkrova dhe pas më shumë se një ore u nisa në shtëpi.

Më shumë se një orë. I ekspozuar, jo mjaftueshëm i sigurt dhe mbi të gjitha pa pasur të drejt në telefon. Dhe si dëshmitar, përballesha në një korridor të ngushtë me personat për të cilat ligji më obligon të dëshmoj. A ia vlen?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat