​Miftaraj për Byronë Shtetërore: I parakohshëm, nuk shpresojmë në zbatim të tij

Aktuale

​Miftaraj për Byronë Shtetërore: I parakohshëm, nuk shpresojmë në zbatim të tij

Më: 10 shkurt 2023 Në ora: 12:57
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj po konsideron se ligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili është miratuar dje në Kuvendin e Kosovës, është i parakohshëm, madje siç shprehet ai nuk pritet zbatueshmëri e madh e kësaj nisme.

Miftaraj në një intervistë për kp, shpreson që janë marrë parasysh të gjitha rekomandimet e dala nga Komisioni i Venecias, në të kundërtën ligji për Byronë Shtetërore, rrezikon të mos e marrë bekimin e Gjykatës Kushtetuese nëse dërgohet në këtë institucion.

Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj pret që përzgjedhja e drejtoritë të Agjencisë por edhe stafi tjetër të emërohen përmes një procesi të rregullt të bazuar në meritokraci.

“Shpresojmë që partia në pushtet me rastin e miratimit të tij ka marrë për bazë rekomandimet e IKD-së, Komisionit të Venecias por edhe të shoqërisë civile në mënyrë që ky ligj të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe i cili nuk cenon të drejtat dhe liritë e qytetarëve të Kosovës. Në këtë fazë duke mos pas qasje në draftin final, nuk jemi në gjendje të komentojmë përmbajtjen nëse i njëjti është në pajtim me Kushtetutën...Nëse ky ligj do të filloj të hyjë në fuqi dhe fillon të zbatohet, është me rëndësi që partia në pushtet të sigurohet që drejtori i Agjencisë por edhe stafi tjetër të emërohen përmes një procesi të rregullt, të bazuar në meritokraci në mënyrë të drejtë dhe të pavarur e me transparencë ndaj publikut. Pastaj, me funksionalizimin e kësaj Agjencie e cila në bazë të asaj që përcakton ligji pritjet janë që të filloj punën në muajin nëntor-dhjetor dhe të procedonin me rastet e para pas analizave që do t’u duhet t’i bëjnë“, tha ai.

Miftaraj konsideron seLigji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së pajustifikueshme, është i parakohshëm dhe u është besuar gjyqtarëve, të cilët i kritikon vazhdimisht Qeveria.

“Me këta gjyqtarë të cilët sot i kemi me numrin e vogël, me gjyqtarë që nuk janë të specializuar por edhe me integritet të kontestuar në shumë raste nuk është që do të kemi shpresë të madhe në zbatimin e këtij ligji sepse kemi thënë nëse Lëvizja Vetëvendosje në njërën anë i gjykon në publik gjyqtarët se janë të padrejtë se nuk kanë integritet dhe nuk e zbatojnë ligjin, atëherë do të thotë të njëjtëve gjyqtarë kjo parti politike iu ka jep në dorë një ligj i cili do të thotë në fund të fundit duhet të zbatohet nga të njëjtit. Nuk duam ta paragjykojmë, por ajo çka mund të themi lirisht është që ky ligj është i parakohshëm, por që le të shpresojmë se ky ligj do të zbatohet nga gjyqtarët dhe nuk do të zbatohet njëjtë sikur me ligjet tjera”, theksoi ai.

Lidhur me paralajmërimin e Partisë Demokratike të Kosovës se këtë ligj do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, Miftaraj theksoi se nëse nuk janë përfshirë komentet e Venecias, mund të ngritet dyshimi se nuk është zbatuar Kushtetuta e Kosovës.

“Nëse janë marrë për bazë ato dhe janë pjesë e ligjit, mund të themi se mund ta merr edhe bekimin e Gjykatës Kushtetuese, por nëse nuk janë marrë parasysh komentet e Komisionit të Venecias, atëherë mund të ngrisim dyshime që ky ligj nuk është se i ka zbatuar apo ka respektuar të drejtat e njeriut siç parashikon Kushtetuta...Në Kuvend nuk është se ka pasur një debat cilësor por që tanimë fatkeqësisht kjo është krijuar një praktikë, ku partia në pushtet nuk është se po iu kushton shumë rëndësi konsultimeve publike të gjitha fazave deri në miratim”, u shpreh Miftaraj.

Dje me 66 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Ligjin për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së pajustifikueshme.

Përveç deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, mbështetje i dhanë edhe deputetët opozitarë të LDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat