PSD kërkon që shef i Byrosë së Konfiskimit të bëhet Martin Berishaj

Aktuale

PSD kërkon që shef i Byrosë së Konfiskimit të bëhet Martin Berishaj

Më: 10 shkurt 2023 Në ora: 16:16
Ilustrim

Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD), ka kërkuar që shef i Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Ligji për të cilën kaloi një ditë më parë në Kuvendin e Kosovës, të behet ambasadori i Kosovës në Kroaci, i dyshuar për korrupsion, Martin Berishaj.

Sipas një statusi të Facebook të PSD-së, nismës së Qeverisë për siç thuhet “gjuetisë së shtrigave”, me duar lartë iu përgjigj edhe LDK-ja.

PSD ka shkruar se inferioriteti i Lidhjes Demokratike të Kosovës po e qon këtë parti tek pushteti.

“Shef i Byrosë së Konfiskimit, të bëhet Martin Berishaj!

Edhe me ndryshimet e bëra, Byroja për Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme ngelet një instrument i sofistikuar politik i Albin Kurtit.

LDK iu përgjigj me duar lart gjyqeve publike e gjuetisë së shtrigave. Asnjë vend evropian nuk e ka një mekanizëm të tillë. Nevoja për ta dëshmuar pafajësinë përpara këtij pushteti nënkupton pranimin e tij si instancë etike. Bash kur skandali Martin Berishaj po bën kërdinë, disponimi antikorrupsion i tyre shkoi në VV. Inferioriteti në LDK po e çon atë te pushteti, ende pa marrë pushtet”, thuhet në statusin e PSD-së.

Sipas kësaj partie, me ndryshimet e bëra në këtë institucion, nuk ka ndryshuar kontrolli absolut mbi përzgjedhjen e organeve drejtuese e mbikëqyrëse të Byrosë.

“Drejtori i Byrosë do të zgjedhet nga një shumicë e thjeshtë në Kuvendin e Kosovës. Gjithashtu, nga 5 anëtarët e Komisionit Mbikëqyrës të këtij institucioni, 4 janë nën kontrollin politik të Qeverisë duke pamundësuar një mbikëqyrje të pavarur. Zëvendësi i Avokatit të Popullit dhe Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, dhe Auditori i Përgjithshëm zgjedhën me shumicë të votave në Kuvend, përderisa Drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare zgjedhet nga Qeveria.

Ndryshimet e bëra në projektligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme as për së afërmi nuk e kanë zbehur karakterin e këtij institucioni si një mekanizëm për të bërë gjueti shtrigash. Për më tepër, ndryshimet e bëra vetëm sa i kanë shërbyer një fshehjeje të sofistikuar të kontrollit absolut që pushteti do ta ketë mbi këtë institucion”, thuhet ndër të tjera në reagimin e PSD-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat