Sami Kurteshi në udhëtim zyrtar, dështon seanca ku ai akuzohet për sulm ndaj zyrtarit në KQZ

Aktuale

Sami Kurteshi në udhëtim zyrtar, dështon seanca ku ai akuzohet për sulm ndaj zyrtarit në KQZ

Më: 14 shkurt 2023 Në ora: 11:42
Sami Kurteshi

Për shkak se i akuzuari Sami Kurteshi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ishte në udhëtim zyrtar, ka dështuar të mbahet seanca e së martës, në rastin ku i njëjti akuzohet se sulmoi të dëmtuarin Adnon Berisha, për mosbartje të maskës.

Kurteshi akuzohet se në gusht të vitit 2021, në selinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Prishtinë, me dashje ka përdorur forcën ndaj të dëmtuarit Berisha, i cili nuk kishte vendosur maskë, ashtu që të njëjtin e kapë për krahu duke e tërhequr dhe duke i bërtitur me fjalët “ec jashtë”, e shtynë nga mbrapa me dy duart, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Kurteshi, gjykatësi Sabit Sadikaj ka thënë se i njëjti përmes një shkrese ka njoftuar gjykatën se nuk mund jetë i pranishëm në seancë sepse do të udhëtojë zyrtarisht jashtë vendit. Ndërkaq, i pranishëm në këtë seancë ishte prokurori Eset Rama.

Në këto rrethana, seanca e radhës u caktua për 3 mars 2023.

Ndryshe, aktakuza e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila e ngarkon të akuzuarin Sami Kurteshi me veprën penale “Sulmi”, rezulton të jetë përpiluar më 21 dhjetor 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Kurteshi po akuzohet se më 25 gusht 2021 në selinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Prishtinë, me dashje përdor forcën ndaj të dëmtuarit Adnon Berisha.

Aktakuza thotë se derisa i dëmtuari Berisha ishte duke iu shërbyer me kafe dhe pa vendosur maskë, fillimisht i pandehuri i drejtohet me fjalët “djalo ku e ki maskën?” dhe pasi që i dëmtuari nuk përgjigjet, atëherë i pandehuri Kurteshi e kapë për krahu të dëmtuarin duke e tërhequr dhe duke i bërtitur me fjalët “ec jashtë” dhe e shtynë nga mbrapa me dy duart.

Me këtë, Kurteshi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulm” nga neni 184, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Ndryshe, më 25 gusht 2021 ishte raportuar se Policia e Kosovës (PK) ka nisur hetimet ndaj Sami Kurteshit, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), si i dyshuar se ka sulmuar një person. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat