Abbott: Mbështetja e të mbijetuarve të dhunës seksuale në konflikt, prioritet i qeverisë britanike

Aktuale

Abbott: Mbështetja e të mbijetuarve të dhunës seksuale në konflikt, prioritet i qeverisë britanike

Më: 16 shkurt 2023 Në ora: 12:39
Nicholas Abbott

“Kam pyetur vetën me qindra herë a jam një nënë e mirë”, shprehet e mbijetuara e dhunës seksuale, Shyrete Tahiri Sulimani. Kjo tregon se përjetimet e saj të tmerrshme asnjëherë nuk ka arritur t’i tejkalojë në tërësi, duke reflektuar kështu edhe te vajzat e saj. Përveç Shyretes, studimi i kryer në Kosovë tregon se traumat e grave të dhunuara seksualisht, janë bartur edhe te fëmijët e tyre.

Gjatë së enjtes, QKRMT publikoi hulumtimin "A Mundet terapia familjare të rikthej ndryshimet epigjenetike që mund të jenë të shkaktuara nga efektet e çrregullimit të stresit pas traumatik amnor dhe traumës ndërbrezore?". Fëmijët treguan ndryshime të nivelit të kortizolit, e probleme me shëndetin mendor.

Në këtë hulumtim janë përfshirë 62 nëna dhe 62 fëmijë, ku të gjeturat sugjerojnë potencialin për ndërhyrje për ndërprerjen e bartjes së traumës.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti tha se ky hulumtim është i pari i kësaj natyre në botë që argumenton se traumat e grave të dhunuara seksualisht, janë bartur edhe te fëmijët e tyre.

Rushiti: Fëmijët përjetojnë trauma, sikurse edhe nënat e tyre

“Gratë dhe burrat që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës, përjetimet e tyre nuk i manifestojnë vetëm tek ata, por traumat ndërvepron dhe qarkullon në tërë anëtarët e familjes. E fatkeqësisht i atakon edhe gjeneratat e reja, fëmijët e tyre. Duke ndikuar qoftë negativisht, qoftë në aspekt tjetër, qoftë në familje, komunikim por edhe në funksionimin e përgjithshëm të familjes. Kjo konferencë jorasisht është titulluar “A mundet terapia familjare të rikthej ndryshimet epigjenetike që mund të jenë të shkaktuara nga efektet e çrregullimit të stresit pas traumatik amnor dhe traumës ndër brezore?”. Ku është vërtetuar që trauma e shkaktuar nga çrregullimi pos traumatik tek nëna është bartur edhe tek fëmijët. Fëmijë të cilët fatkeqësisht fare nuk janë atakuar me dhunën seksuale të luftës, por padrejtësisht bartin dhe manifestojnë simptoma sikurse edhe nënat e tyre”, ka thënë Rushiti.

Për më tepër, gratë e mbijetuara nga dhunimi seksual, jetojnë me brengën se nuk janë nëna të mira për fëmijët e tyre.

Rushiti: Rritja apo ulja e kortizolit ndikon direkt në shëndetin mendor por edhe në shëndetin fizik të tyre

“Këto gjetje argumentojnë se pasojat e dhunës seksuale te gratë janë të përcjella edhe tek fëmijët, kryesisht përmes ndryshimit sipërfaqësor të ADN-së. Implikimet e transmetimit të traumës janë jashtëzakonisht të mëdha, për shkak se ndikojnë në mënyrë të drejpërdrejt tek aftësitë riprodhuese tek vet fëmijët e pasluftës. Po flasim për fëmijët që kanë lindur pasluftës, fëmijë që në këtë kohë mund t’i kenë 13 vjet, kanë ardhur pas luftës. Ajo që e konsiderojmë dhe fatkeqësisht tek këta fëmijë është parë që ndikimi është i shprehur, tek disa nga ta kemi parë që këto çrregullime të ADN-së, rritja apo ulja e kortizolit ndikon direkt në shëndetin mendor por edhe në shëndetin fizik të tyre”, ka theksuar Rushiti.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott theksoi se mbështetja e mbijetuarve është prioriteti i qeverisë britanike.

Abbott: Mbështetja e të mbijetuarve të dhunës seksuale në konflikt është prioriteti i qeverisë britanike

"Mbështetja e të mbijetuarve të dhunës seksuale në konflikt është prioriteti i qeverisë britanike. Përmes iniciativës për parandalimin e dhunës seksuale në konflikt ne do të vazhdojmë të kontribuojmë drejt këtij prioriteti, me synim që të rrisim ndërgjegjësimin për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe burrave në situatë konflikti. Konferenca ndërkombëtare e cila u mbajt në nëntor në Londër, tregon për qëllimin tonë.... Studime të tilla janë shumë të rëndësishme për Kosovën, Britaninë e Madhe dhe tërë botën. Së pari parandalimi i dhunës seksuale dhe parandalimi i bartjes së traumës në gjenerate., ndikon drejtpërdrejt në shoqëri më të shëndetshme dhe ndërtim të paqes dhe rritjen e përfshirjes së grave në paqe e siguri”, u shpreh Abbott.

E mbijetuara e dhunës seksuale, Shyrete Tahiri Sulimani u shpreh se jo rrallë herë është ndjerë e pafuqishme dhe që nuk është e aftë të rris fëmijët e saj.

Tahiri Sulimani: E kam pyetur vetën me qindra herë se a jam një nënë e mirë

“Kam përjetuar përsëri e përsëri përvojën e tmerrshme, duke fajësuar vetën që nuk kam qenë në gjendje të mbrojë vetën. Unë shpesh kam fajësuar vetën, kam pyetur vetën me qindra herë a jam një nënë e mirë. Ndjesia e fajit është shkatërruese dhe e di që shumë nëna e bartin këtë ndjesi me vete çdo ditë”, ka thënë ajo përmes një video.

Jeanette Korner nga “Dignity”, ka theksuar se studimet tregojnë që vuajtja e të mbijetuarve të dhunës seksuale afekton familjen duke përfshirë edhe fëmijët. Ajo shtoi se fëmijët mund të vuajnë nga probleme të tilla, për shkak të traumave të pa trajtuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat