​Kuvendi këtë javë shqyrton shtatë marrëveshje ndërkombëtare, opozita kritikon mazhorancën

Aktuale

​Kuvendi këtë javë shqyrton shtatë marrëveshje ndërkombëtare, opozita kritikon mazhorancën

Më: 20 shkurt 2023 Në ora: 14:52
Kryesia e Kuvendit

Kryesia e Kuvendit ka caktuar dy seanca për këtë javë njëra prej të cilave është me pikat e papërfunduara nga viti i kaluar. Të mërkurën, deputetët do të trajtojnë pikat e mbetura nga seanca e 23 dhjetorit ku ndër të tjera janë katër marrëveshje ndërkombëtare të cilat kanë mbetur pa miratuar për shkak të kuorumit. Ndërsa të enjten Kuvendi do të mblidhet në seancë të rregullt dhe ndër te tjera do të shqyrtohen tri marrëveshjet ndërkombëtare që dalin nga procesi i Berlinit.

Në seancën e së mërkurës është bartur edhe debati parlamentar që lihet me raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, për vitin 2022, pikë kjo që kishte qenë në agjendën e 23 dhjetorit.

Ndërkohë që është bërë e zakonshme që Kuvendi të mblidhet për të trajtuar pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara, shefja deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza kusari-Lila shpreson që pikat e mbetura nga sesioni i kaluar të përfundojnë brenda dy javësh.

“Ne e kemi marrë përsipër përgjegjësinë, natyrisht edhe vetëkritikën në mënyrën sesi kemi qëndruar apo nuk kemi qëndruar në seanca për t’u përmbyllë ato si duhet, në situata të caktuara kanë qenë tensionimet politike në mes të pozitës dhe opozitës në situata të caktuara ka qenë vet mospjesëmarrja edhe e deputetëve të pozitës. Megjithatë ajo çka po bëjmë është që po merremi intensivisht me trajtimin e pikave të pa-përmbyllura, aktualisht jemi duke mbajtur seanca plenare siç po e shihni, përveç javës së kaluar, me dy të javës mërkure dhe enjte, unë po shpresoj që edhe dy javë të tjera dhe do të arrijmë të paktën të përafrojmë apo finalizojmë pikat e pa-përmbyllura nga sesioni i kaluar, pastaj do të vazhdojmë me dinamikën me të cilën ashtu siç procedohen projektligjet ashtu i prezantohen seancës plenare”, ka thënë ajo pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Lidhur me këtë ka drejtuar kritika shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, sipas së cilit kjo legjislaturë po karakterizohet nga një kaos.

“Këtë legjislaturë po karakterizon një kaos parlamentar. Kemi diku mbi 50 pika të pambyllura të seancave të vitit 2022, pra ende po e kalojmë muajin e dytë të këtij viti dhe në anën tjetër i kemi diku gjashtë seancë të pambyllura të vitit të kaluara dhe diku mbi 50 pika, projektligje, marrëveshje ndërkombëtare, raporte të ndryshme të cilat nuk kanë gjetur ende trajtim. Kjo tregon që Lëvizja Vetëvendosje që drejton këtë mazhorancë është duke pasur probleme jashtëzakonisht të mëdha në menaxhimin e kësaj legjislature kur e sheh kaosin parlamentar në të cilin kemi hy”, ka thënë ai.

Ai ka bërë të ditur se në seancën e së enjtes ndër të tjera do të trajtohet edhe raporti i komisionit hetimor parlamentar të menaxhimit të krizës energjetike.

Tahiri ka deklaruar se grupi parlamentar i PDK-së është duke përgatitur një kallëzim penal mbi të gjeturat e këtij raporti.

Ndërsa shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se agjenda legjislative e vitit të kaluar është e dështuar.

“Agjenda legjislative është letërnjoftimi i një qeverie, i një shumice parlamentare, ligjet që kanë qenë ligjet kryesore që e prekin qytetarin nuk kanë ardhur dhe ende ne nuk e dimë cila është agjenda legjislative e këtij viti, sepse nuk ka ardhur prej qeverisë. Ne e dimë veç që pesë ligjet e qeverisë në shëndetësi nuk kanë kaluar, ne e dimë që ligji i pagave dhe ligje të tjera që e rregullojnë sektorin publik, në fakt e kanë deformuar sektorin publik dhe e dimë që për sektorin privat nuk ka asgjë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se AAK ka kërkuar debat parlamentar për punën e qeverisë në këto dy vjet. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat