Pranohen edhe 84 viktima të tjera si pjesëmarrës në procesin gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit

Aktuale

Pranohen edhe 84 viktima të tjera si pjesëmarrës në procesin gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit

Më: 21 shkurt 2023 Në ora: 15:15
Foto ilustrim nga "Bota sot"/ Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi

Trupi gjykues ka marrë  vendimin e pestë mbi pjesëmarrjen e viktimave në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ku 84 parashtrues të kërkesave u pranuan si viktima pjesëmarrëse në proces gjyqësor.

Sipas njoftimit të gjykatës, ata do të përfshihen në grupin ekzistues 1, i cili numëronte 53 viktima pjesëmarrëse dhe do të përfaqësohen nga përfaqësuesi i njëjtë i viktimave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në njoftim thuhet se kjo e dërgon numrin total të viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje, në 137.

Kurse, gjykata njofton se 86 kërkesa janë refuzuar.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat