Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian flet rreth takimit Kurti-Vuçiq, ja pritshmëritë

Aktuale

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian flet rreth takimit Kurti-Vuçiq, ja pritshmëritë

Më: 24 shkurt 2023 Në ora: 13:00 Përditësuar në ora: 13:36 më 24.02.2023
Tomas Szunyog dhe Besnik Bislimi

​Szyunog: BE-ja pret që Kosova dhe Serbia ta pranojnë propozimin evropian

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szyunog, ka thënë se BE-ja pret që Kosova dhe Serbia ta pranojnë propozimin evropian dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në bisedime se si të zbatohet ajo.

Szyunog tha se arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi do të jetë shumë e rëndësishme për integrimin evropian të tyre.

“Ajo që është e nevojshme të thuhet, është thënë nga Lajçaku. Dukshëm presim që të dyja palët të pranojnë propozimin evropian dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në bisedime se si të zbatohet ajo. Është shumë e qartë dhe kjo nuk është informatë e re që ne kemi besuar që për të dy palët marrëveshja e dialogut është shumë e rëndësishme për integrimin evropian”, tha Szyunog.

Për planin evropian e për takimin e së hënës së Bruksel është pyetur edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, mirëpo i njëjti tha se është e “padenjë” të përgjigjet aty për këto pyetje. Ai është arsyetuar se konferenca ka të bëjë me programin “IPA 2023” dhe se është program shumë i rëndësishëm për qytetarët që të flitet për diçka tjetër në të.

“Pyetja e parë fillon “ në të hënën në Bruksel’, mendoj se është disrespekt për gjithë këtë punë, këtë program prej të cilit përfitojnë qytetarët. Po më duket pak e padenjë të përgjigjem për pyetjen që e keni për momentin”.

​Kosova përfiton 75 milionë euro për energji nga marrëveshja për “IPA 2023”

Kosova dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë nënshkruar marrëveshjen financiare për programin vjetor IPA 2023, në vlerë prej 75 milionë euro.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi theksoi se nga kjo marrëveshje Kosova do të përfitojë 75 milionë euro dhe se këto fonde do të dedikohen për sektorin e energjisë.

“Sot kam kënaqësinë të nënshkruaj marrëveshjen financiare mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin vjetor IPA 2023, e cila i është dedikuar financimit në fushën e energjisë. Ky program përbën edhe një hap tjetër te rëndësishëm në rrugëtimin tonë drejt integrimit evropian dhe dëshmon përkushtimin tonë ndaj vlerave dhe standardit evropian. Nga ky program Kosova përfiton fonde në vlerë prej 75 milionë euro. Këto mjete padyshim se do të na ndihmojnë në adresimin e ndikimit të krizës energjetike të cilat Kosova ashtu si të gjitha vendet e Evropës është duke i përjetuar”, tha Bislimi.

Zëvëndëskryeministri Bislimi tha se marrëveshja hyn në fuqi nga dita e sotme dhe 67.5 milionë euro pritet të disbursohen shumë shpejtë në buxhetin e shtetit.

“Marrëveshja hyn në fuqi sot dhe ne menjëherë do të bëjmë kërkesë për disbursim të 90 për qind të fondeve të parapara me këtë marrëveshje, pra për 67.5 milionë euro të cilat priten të disbursohen shumë shpejtë në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër prej 7.5 milionë euro do të disbursohen gjatë vitit të ardhshëm pas plotësimit të kushteve të caktuara në marrëveshjen financiare. Ky është edhe një hap tjetër i rëndësishëm në rrugën tonë drejt përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve tanë dhe përpjekjeve tona të vazhdueshme për të adresuar edhe problemet e imponuara nga faktorët e jashtëm, ashtu që ndikimi negativ tek qytetarët të jetë minimal”, tha Bislimi.

Shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog, e ka quajtur unike që Kosova ka arritur ta çojë përpara këtë marrëveshje në më pak se tre muaj. Ndërsa, shtoi se ndarja e këtyre fondeve do t’i dedikohet sektorit të energjisë të ndikuar nga agresioni rus në Ukrainë, që jo vetëm Kosova, por e gjithë bota e ka ndjerë.

“Kjo është pjesë e një 500 milionëshi si ndihmë i partnerëve të Ballkanit Perëndimor. Arsyeja pse BE-ja ka mobilizuar këtë është sepse agresioni rus i paprovokuar ndaj Ukrainës dhe ndikimi i saj në tregun botëror, e posaçërisht atij energjetik. Ka qenë një vit prej se kemi dëshmuar shkatërrimin e kësaj lufte që i ka sjell Ukrainës edhe pse nuk mund të mohojmë faktin se gjithë të tjerët e kanë ndjerë këtë në jetën e tyre”, tha Szunyog.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka treguar më shumë për veçantinë e këtij programi.

“Mesatarisht, familjet kosovare, gjatë vitit të kaluar kanë konsumuar 4% më pak energji elektrike sesa vitin e kaluar. E veçanta e këtij programi për dallim prej shumë programeve të tjera është që ai është plotësisht në përputhje me prioritetet dhe nevojat tona, është plotësisht i ndërtuar mbi bazën e kapaciteteve tona insitutcionale dhe llogarit në kapacitetet tona institucionale për zbatimin e programit”, tha Rizvanolli.

Rizvanolli ka thënë se Fondi i Efiçiencës së Energjisë me programin do të zhvillojë programe të tjera në ndihmë të familjeve kosovare.

“Në vitin e kaluar ne kemi pasur një masë për subvencionim të pajisjeve eficente për ngrohje, e cila ka përkrahur mbi 9 mijë familje përfituese me 4.9 milionë euro dhe bazuar në këtë përvojë do të zhvillohen edhe një masë e ngjashme me 10 milionë euro dhe një masë e ngjashme për biznese me 5 milionë euro për ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Nga ana tjetër gjatë vitit të kaluar fondi i eficiencëns së energjisë ka zbatuar 38 projekte investim mbi 5 milionë euro. Është pikërisht ky fond që do të zbatojë me këtë program, programe të reja për familjet, në izolim të shtëpive, ndërrim të dritareve e dyerve, etj. Nuk kam dyshim se do të kemi program të suksesshëm”, tha ajo.

Në një vjetorin e luftës në Ukrainë, Bislimi ka shprehur nderime për të rënët dhe ka thënë se Kosova e njeh dhimbjen e Ukrainës pasi ka kaluar vetë nëpër një histori të tillë.

“Sot bëhen saktësisht 1 vit nga fillimi i agresionit të paprovuar të Rusisë në Ukrainë. E shoh si shumë të rëndësishme që sot të kujtojmë me dhimbje gjithë viktimat e kësaj lufte. Ukraina ende nuk e ka njohur Kosovën, por Kosova e njeh mirë dhimbjen dhe plagën e Ukrainës sepse me një mizori të ngjashme jemi përballur edhe ne në historinë tonë jo fort larg”, theksoi ai. 

Bislimi nuk komenton për takimin Kurti-Vuçiq, përgjigjet shefi i BE-së

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi nuk ka dashur të flasë për takimin e së hënës në Bruksel Kurti-Vuçiq gjatë konferencës që pati pas nënshkrimit të marrëveshjes IPA 2023 me shefin e zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Duke dashur t’i shmanget pyetjes, Bislimi tha se është ‘disrespekt’ të flitet për tema të tjera në një ngjarje sikur nënshkrimi i kësaj marrëveshje.

“Është hera e parë që kemi një program IPA që i dedikohet tërësisht një sektori i cili është i goditur, të cilat do të shpërndahen tek qytetarët. Është hera e parë që në plotësi programi i besohet institucioneve të Kosovës. Është disrespekt për gjithë këtë punë që është bërë. Po më duket që është e padenjë të përgjigjem në këtë pyetje”, tha ai.

Ndërkaq, Szunyog, duke thënë se nuk mund të shtojë më shumë sesa që ka folur kolegu i tij, Miroslav Lajçak, tha se kanë pritje që palët ta pranojnë propozimin.

“Presim që të dyja palët të pranojnë propozimin europian dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive se si të zbatohet ajo. Marrëveshja është e rëndësishme për integrimin europian”.

Szunyog tha se Kosova është ndër vendet që është ndikuar më negativisht nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat