Kelmendi: Pas dy gabimeve, Kurti më në fund u rendit drejt

Aktuale

Kelmendi: Pas dy gabimeve, Kurti më në fund u rendit drejt

Më: 28 shkurt 2023 Në ora: 22:11
Adriatik Kelmendi

Adriatik Kelmendi, gazetar dhe opinionist, njëherësh autor i emisionit Rubikon, është lidhur direkt nga Brukseli, ku dje përcolli nga afër zhvillimet e djeshme gjatë dhe pas takimit trepalësh Kurti-Vuçiq-Borrell dhe Lajçak.

Në Rubikon, përballë panelistëve Rrahman Paçarizi, Gazmir Raci, Laura Kryeziu, Dardan Sejdiu dhe Vehbi Kajtazi, Kelmendi tha se marrëveshja e publikuar mbrëmë ofron më shumë qartësi sesa paqartësi.

“Diskutimet në vazhdim do të jenë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kemi parë edhe insistimin e palëve ndërmjetëse, nga SHBA-ja por edhe vetë Borrelli e Lajçaku, tri shtetet që kanë marrë primatin për ta çuar përpara marrëveshjen, Franca, Gjermania dhe Italia, që insistojnë që të gjitha marrëveshjet e deritashme të arritura në dialog duhet të respektohen në plotëni nga palët, dhe se Asociacioni, duke e ditur që është tema më e ndjeshme (më kërkuesja nga ana e Serbisë dhe më problematikja nga ana e Kosovës), duhet të jetë një ndër pikat që duhet të marrë vëmendjen e shtuar dhe të fillojë me një dinamikë zbatimi. Dhe natyrisht, duke e ditur se vetë zoti Kurti, duke qenë edhe kryetar i LVV-së, ka një historiat të gjatë në kundërshtimin e kësaj marrëveshjeje, atëherë edhe zoti Kurti do të kërkojë që deri në fund të shikojë mundësinë për të bishtnuar këtë marrëveshje ose për të zbutur disi, për të kaluar pa u vërejtur edhe fillimin e implementimit të saj”.

“Por ajo që dihet është se Kurti e ka bërë të qartë se ai e ka pranuar dhe ishte i gatshëm edhe të nënshkruajë planin dhe në plan, pavarësisht se si interpretohet tash udhërrëfyesi… sepse ne pamë edhe një qartësim nga zëdhënësi i Qeverisë, Kryeziu, se nuk ka dakordësim për udhërrëfyesin. Natyrisht se nuk ka dakordësim për udhërrëfyesin se e pamë se palët kanë thënë se nuk janë pajtuar me dinamikat e tij, por se vështirë se do të hiqet ndonjë pikë nga marrëveshjet e arritura deri më tash, ku përfshihet, pra edhe një herë Asociacioni, dhe do të jetë ajo diçka që nuk do të zbatohet. Pra, pavarësisht se çka po na thonë dy liderët, ka më shumë qartësi në atë që janë pajtuar sesa paqartësi”, theksoi Kelmendi.

Adriatik Kelmendi, tha më tej se dihet mirë që kjo nuk është marrëveshja e synuar nga Kosova e nga kryeministri Kurti, se nuk është marrëveshja më e mirë që mund ta arrijë Kosova “sepse ne nuk po e shohim njohjen reciproke aty, e cila është hequr së fundmi edhe nga gjuha që vjen edhe nga SHBA-ja, por edhe nga qendrat tjera evropiane të vendosjes”.

“Në Facebook bëra një postim ku thash se Kurti, në historiatin e tij politik ka bërë dy gabime: i pari ka qenë se është gjendur në anën e kundërt të marrëveshjes së Rambujesë, dhe e dyta në procesin e Ahtisaarit në Vjenë. Pra, në të dyja rastet, Kurti nga pozicioni i opozitarit ka kundërshtuar këto dy marrëveshje, dhe tash si kryeministër pra dhe duke marrë të gjithë përgjegjësinë e vendosjes së fatit të Kosovës, ai u rendit drejt karshi rrethanave. Natyrisht ne duhet kuptuar se kjo nuk është marrëveshja e synuar nga Kosova e nga Kurti, nuk është marrëveshja më e mirë që mund ta arrijë Kosova sepse ne nuk po e shohim njohjen reciproke aty, e cila është hequr së fundmi edhe nga gjuha që vjen edhe nga SHBA-ja, por edhe nga qendrat tjera evropiane të vendosjes. Por se në këto rrethana është maksimumi i arritjes edhe për t’i dhënë një shans heqjes së ndikimit të Rusisë nën dritën e konfliktit Rusi-Ukrainë nga rajoni dhe duke e bërë Serbinë që përfundimisht, në njëfarë forme, të heqë dorë nga ambicia për ta kontrolluar ose penguar Kosovën në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare si shtet i pavarur, pavarësisht se nuk është njohja aty. Natyrisht se dhimbja më e madhe për Kosovën është niveli i vetëmenaxhimit siç po quhet tash, i komunave me shumicë serbe, dhe ku duhet të jetë kujdesi më i madh, dhe për këtë arsye e kuptoj kryeministrin e Kosovës se është shumë, shumë i kujdesshëm kur i qaset kësaj teme”, potencoi gazetari Adriatik Kelmendi nga Brukseli. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat