Plani evropian, Rumania s’lëkundet në qëndrimin për Kosovën as pas dakordimit në Bruksel

Aktuale

Plani evropian, Rumania s’lëkundet në qëndrimin për Kosovën as pas dakordimit në Bruksel

Më: 1 mars 2023 Në ora: 15:02
Pamje nga takimi ne Bruksel

Emisari special Miroslav Lajcak ishte angazhuar që të flasë me pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Kurti e ka pranuar se ka kërkuar një lloj garancie për ta marrë njohjen e pesëshes, pasi të ketë dakordim mes Kosovës dhe Serbisë. Rumania është një prej këtyre pesë shteteve.

“Tash, në takimin e fundit që kishim më 20 janar, unë insistova që të jenë edhe pesë shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian ato që do ta ndryshojnë qëndrimin me aktin e dakordimit, për shkak se normalizimi i plotë [i marrëdhënieve] ndihmohet pikërisht përmes njohjes nga pesëshja, e cila ende nuk i është bashkuar shumicës së shteteve anëtare të Bashkimit Evropian”.

Kështu kishte thënë Kryeministri Albin Kurti më 27 janar, para se ai ta pranonte propozimin evropian për normalizimin e raporteve, siç ia kërkonin zyrtarët evropianë dhe amerikanë.

Në përpjekje e sipër për ta marrë një “po” për propozimin evropian, emisari special, Miroslav Lajcak, menjëherë vizitës në Prishtinë, ka nisur takimin e përfaqësuesve të pesë shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën.

Tani që Kosova dhe Serbia e kanë pranuar propozimin evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Media ka pyetur Greqinë, Spanjën, Rumaninë, Qipron dhe Sllovakinë, nëse kanë ndryshuar qëndrimet e tyre karshi Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme të Rumanisë thotë se ky shtet e ka mirëpritur vullnetin për kompromis që e kanë treguar Kurti dhe Vuciq dhe e përkrah dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për të arritur paqe mes vete.

“Rumania përkrah plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, si kanalin kryesor për një normalizim efektiv dhe gjithëpërfshirës të raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës, që mund të sjell paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon” thekson MPJ e Rumanisë.

“Ne mirëpresim vullnetin për kompromis, të dëshmuar nga liderët nga Beogradi dhe Prishtina, gjatë takimit të tyre në Bruksel, më 27 shkurt. Ne shprehim shpresën që negociatat në vazhdim për aneksin e marrëveshjes së pranuar do të sjellë shpejt rezultate dhe zbatimi mund të fillojë”, shtojnë më tej rumunët.

Megjithatë, Rumania mban qëndrimin e vet kundër pavarësimit të Kosovës, të cilin e konsideron “të njëanshëm”.

“Siç mund ta dini, Rumania nuk e ka njohur deklarimin e njëanshëm të pavarësisë së Kosovës dhe qëndrimi ynë mbetet i njëjtë. Sidoqoftë, pa paragjykuar qëndrimin tonë kombëtar mbi statusin e Kosovës, Rumania ka pasur qasje konstruktive, duke përfshirë marrëveshjet mbi bashkëpunimin rajonal, nënshkrimin e ASA, liberalizimin e vizave apo çështje të tjera”.

Në vazhdën e takimeve me përfaqësuesit e pesë vendeve të BE-së, më 17 shkurt, Lajcak e ka takuar ministrin e Jashtëm të Rumanisë, Bogdan Aurescu, për të folur rreth dialogut Kosovë-Serbi.

Duke e cilësuar si “takim shumë të mirë”, Kryediplomati rumun shkroi se “Rumania e përkrah fuqishëm emisarin e BE-së në përparimin e dialogut dhe i inkurajon përpjekjet për paqe dhe siguri të qëndrueshme në rajon”.

Pas takimit të 27 shkurtit, ka pasur reagim edhe nga Sllovakia dhe nga Greqia.

Kreu i diplomacisë sllovake, Rastilav Kacer ka thënë se e mirëpret faktin që kryeministri i Kosovës dhe presidenti serb, kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të vazhduar me implementimin e propozimit të BE-së. Kacer thotë se tashmë është e nevojshme që të bëhet punë shumë e madhe dhe ka shprehur përkrahjen e Sllovakisë për Josep Borellin dhe Miroslav Lajcakun për aktivitetin që do të kenë në vazhdim.

“Gëzohem që dëgjoj lajme pozitive nga Brukseli. Përshëndes gatishmërinë e shprehur të presidentit të Serbisë Aleksander Vuciq dhe kryeministrit Albin Kurti për të vazhduar me zbatimin e Propozimit të BE-së. Duhet punë e madhe tani. Mbështetja jonë është për Borell dhe Lajcak në punën që bëjnë në emër të BE-së”, ka shkruar Kacer.

Ish-kryeministri i Greqisë, George Papandreou ka reaguar për zhvillimet e djeshme në Bruksel në kuadër të procesit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Progresi i arritur në dialogun Beograd-Prishtinë është një zhvillim pozitiv për ndërtimin e besimit në rajonin tonë. “Marrëveshja e mbështetur nga BE-ja për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” do të kontribuojë për paqen, sigurinë dhe do t’i japë shtysë të re anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE”, ka shkruar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat