Kurti: Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë bëhet me njohjen e ndërsjellë

Aktuale

Kurti: Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë bëhet me njohjen e ndërsjellë

Më: 1 mars 2023 Në ora: 18:39
Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë Forumit Ekonomik në Maqedoninë e Veriut, ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë duhet të ndodhë, porse kjo mund të bëhet vetëm me njohjen e ndërsjellë.

Ai ka thënë se Republika e Kosovës ka bërë progres të madh në rritjen ekonomike dhe në luftën kundër korrupsionit, por se marrëdhëniet me fqinjin verior nuk janë normale.

“Republika e Kosovës është një vend normal demokratik, por duhet të pranojmë se marrëdhëniet tona me Serbinë nuk janë normale. Pra, duhet të normalizohen marrëdhëniet mes dy vendeve tona dhe mendoj se normalizimi i marrëdhënieve mund të bëhet me njohje të ndërsjellë si pjesë qendrore. Kjo është thënë nga presidenti Biden, nga sekretari Blinken, nga kancelari Scholz që njohja e ndërsjellë është pjesa qendrore e normalizimit të plotë të marrëdhënieve", ka thënë Kurti në Forumin Ekonomik në Shkup.

Ai ka thënë se janë duke punuar me shumë zell në këtë proces nëpërmjet propozimit evropian, për të cilin ka thënë se tashmë e kanë pranuar të dyja palët. 

"...Vazhdojmë tutje me propozimin e BE-së, i cili na është prezantuar të dy palëve, mua dhe presidentit të Serbisë dhe e kemi pranuar tekstin me këtë propozim dhe e kemi miratuar në të dy kryeqytetet dhe më pas edhe në Bruksel”, ka nënvizuar Kurti.

Kryeministri më pas ka konfirmuar se gjatë këtij muaji pritet të takohen sërish me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq me ndërmjetësimin e Josep Borrellit dhe atë pikërisht në Maqedoninë e Veriut.

“Mos të harrojmë se më 9 qershor të vitit 1999 në Kumanovë u nënshkrua kapitullimi i Jugosllavisë së Millosheviqit dhe hyrja e forcave të NATO-s. Mendoj se këto elemente simbolike të Maqedonisë së Veriut ishin shumë të rëndësishme për Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, që të na ftoj në Maqedoninë e Veriut për takimin e radhës të nivelit të lartë”, ka shtuar Kurti.

Ai ka folur edhe për bashkëpunimin rajonal si dhe për ndikimin e luftës së Ukrainës në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat