Çka është “diplomacia fluturuese” e Lajçakut dhe sa do të ketë efekt në dialog?

Aktuale

Çka është “diplomacia fluturuese” e Lajçakut dhe sa do të ketë efekt në dialog?

Më: 1 mars 2023 Në ora: 20:41
Miroslav Lajçak

Miroslav Lajçakut do t’i bie shpesh të hipë në aeroplan, këto ditë. Sikurse puna e mjetit të transportit tashmë do të shquhet edhe metoda e ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian në fazën e re të dialogut.

Emisari special do ta përdorë diplomacinë fluturuese që, përmes takimeve ndarazi në Prishtinë e Beograd, t’i përafrojë qëndrimet e Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiqit, në distancë nga njëri-tjetri.

Sipas njohësit të politikave evropiane, Emir Abrashi, kjo mënyrë negocimi i shmang temat e reja në tavolinë.

“Palët qëndrojnë në distancë, ndërmjetësuesi negocion me secilën palë veç e veç, deri të arrijnë një marrëveshje. Në këtë aspekt kjo mund të jetë efektive nëse është gjykuar se ulja e palëve në tryezë mund të nxjerrë tema të reja që mund ta vonojnë arritjen e një marrëveshjeje”, thotë ai.

Mirëpo, profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Dritëro Arifi, thotë se është vështirë t’iu iket mospajtimeve.

“A do të ketë sukses, në këto rrethana është e vështirë, sepse po vërehet që palët kanë mospajtime të theksuara, sidomos te Asociacioni dhe statusi i Kishës Ortodokse”, shprehet Arifi.

Sipas këtyre, me rëndësi është që Kosova të mos tregohet destruktive.

Rezultatet e diplomacisë fluturuese të Lajçakut pritet të vihen në dukje më 18 mars, kur Kurti e Vuçiq të takohen në Maqedoninë e Veriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat