Jashari: Publikimi i emrave nga Specialja dëshmon që kjo gjykatë është e dështuar

Aktuale

Jashari: Publikimi i emrave nga Specialja dëshmon që kjo gjykatë është e dështuar

Më: 1 mars 2023 Në ora: 20:56
Xhavit Jashari

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, tha se pas publikimit të emrave të disa viktimave që pretendohet se janë vrarë ose zhdukur në rastin e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, dëshmohet ende më shumë që Gjykata Speciale është e dështuar.

Po ashtu, Jashari tha se qëndrimi i tyre për mos ta njohur këtë gjykatë do vazhdojë të mbesë i njëjtë.

“Këtu çdo ditë po faktohet qëndrimi ynë dhe vlerësimi ynë për këtë gjykatë të cilën nuk e kemi njohur, nuk e njohim dhe nuk do ta njohim. Ajo është një gjykatë politike e cila është krijuar në bashkëpunim me Serbinë. Ne kemi thënë atëherë, themi edhe sot që ne nuk frikësohemi dhe nuk do ta njohim këtë gjykatë. Sot ka dëshmuar ende më shumë që është një gjykatë e dështuar”, deklaroi Jashari.

Madje sipas Jasharit, ish-krerët e UÇK-së, do dalin faqebardhë nga kjo aktakuzë.

“Ne e presim këtë gjykim i cili është i padrejtë, po dihen tendencat dhe qëllimet e saj. Ata të cilët janë atje do të kthehen faqebardhë, ashtu siç ishin faqebardhë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shtoi tutje ai.

Ndërkaq, i pyetur se a e njihte dikë në listën e emrave, Jashari tha se ata emra që ka dëgjuar nuk ishin të njohur për të.

Kujtojmë se sot Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka dorëzuar një version publik më pak të redaktuar të aktakuzës së ndryshuar në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ku bëhen të ditur emrat e disa nga viktimat që pretendohen se janë vrarë dhe disa të tjerëve që pretendohen se janë zhdukur me forcë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat