Ambasadori italian në Serbi: Takimi Kurti-Vuçiq një hap përpara për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura

Aktuale

Ambasadori italian në Serbi: Takimi Kurti-Vuçiq një hap përpara për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura

Më: 1 mars 2023 Në ora: 21:14
Luca Gori

Ambasadori italian në Serbi, Luca Gori tha se takimi i kësaj jave ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel paraqet një hap përpara në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy palëve dhe theksoi rëndësinë e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog.

Në një intervistë për agjencinë Beta, Gori tha se propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është një mundësi që duhet shfrytëzuar dhe shtoi se Italia nga ky këndvështrim vlerëson qëndrimin realist dhe konstruktiv të Presidentitt të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Me rastin e takimit mes Vuçiqit dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti të hënën, ku u pajtuan për Marrëveshjen për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, Gori tha se ka ende shumë për të bërë në dialogun Beograd-Prishtinë, mbi të gjitha për zbatimin e asaj që është rënë dakord dhe finalizimin e marrëveshjes.

“Obligimet e marra nga palët, përmes marrëveshjeve tashmë të arritura në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, duhet të zbatohen”, tha Gori.

Ai ka shtuar se ky është një hap i rëndësishëm, i cili theksohet në letrën që kryeministrja italiane, Gjorgja Meloni, së bashku me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz, i kanë dërguar presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti para takimit.

“Ne jemi të bindur se marrëveshjet e nënshkruara nga Beogradi dhe Prishtina duhet të zbatohen plotësisht. Prandaj, ne besojmë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe duhet të formohet pa vonesa të mëtejshme, në përputhje me dispozitat e Marrëveshjes së Brukselit”, tha Gori.

I pyetur nëse modeli i Tirolit të Jugut mund të jetë i pranueshëm për të dyja palët si zgjidhje për autonominë e veriut të Kosovës, Gori tha se “ka shumë modele që mund të shërbejnë si model”.

“Ajo e zbatuar në Tirolin e Jugut ka treguar konkretisht se mund të funksionojë dhe mund të shërbejë, së bashku me zgjidhjet e tjera të përdorura në vendet e tjera evropiane, si frymëzim”. Megjithatë, i takon Beogradit dhe Prishtinës të vendosin”, tha Gori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat