Sveçla: Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë as nuk i harrojmë e as nuk i falim

Aktuale

Sveçla: Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë as nuk i harrojmë e as nuk i falim

Më: 7 mars 2023 Në ora: 22:23
Xhelal Sveçl

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë sonte se krimet që janë kryer gjatë luftës në Kosovë “as nuk i harrojmë e as nuk i falim”.

Sipas tij, drejtësia për secilin akt çnjerëzor ndaj popullatës së pafajshme është e pashmangshme.

I pari i MPB-së tregoi se sot është njoftuar se është arrestuar një qytetar i nacionalitetit serb që akuzohet se gjatë vitit 1999, në cilësi të personit zyrtar, ka ushtruar dhunë, torturë e keqtrajtim ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë.

“I njejti po ashtu akuzohet se në bashkëpunim me struktura paramilitare serbe ka marrur pjesë edhe në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe ky është një fakt i njohur botërisht. Kryesit e akteve kriminale ndaj popullatës së pafajshme nuk janë dënuar asnjëherë për këto krime ose janë dënuar minimalisht”, shkroi ai në Facebook.

“Teksa ne e kemi të freskët dhimbjen për secilin qytetar të shtypur, të keqtrajtuar, të dëbuar, të masakruar e të zhdukur, drejtësia është domosdoshmëri. Është e vonuar por është e pashmangshme”, përfundoi Sveçla.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës, njoftoi sot se në bashkëpunim me Njësinë për Hetime të Krimeve të Luftës në kuadër të Policisë së Kosovës, sot ka arrestuar sot të pandehurin me inicialet Z.A. të nacionalitetit serb, nën dyshimin për kryerje të krimeve të luftës në Kosovë në vitin 1999.

“Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri Z.A., dyshohet se gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në muajin mars 1999, në stacionin policor në Kamenicë në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe, i uniformuar dhe armatosur, fillimisht kishte rrahur të dëmtuarin me inicialet B.M, me shufra gome dhe shqelma, duke e torturuar në mënyrë çnjerëzore, maltretuar dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda, trauma dhe pasoja në shëndet dhe duke e kanosur seriozisht për jetë për një orë e gjysme, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare  të Gjenevës dhe protokolleve shtesë”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri Z.A., gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në periudhën shkurt-mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë.

“Pastaj ka filluara të bëjë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit të  pronës së shqiptarëve,  i’a ka vënë zjarrin, si dhe ka marr pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë. Me këto veprime i pandehuri Z.A., kishte për të kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës  civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat