Profili i Gazmend Hoxhës, drejtorit të ri të Policisë së Kosovës

Aktuale

Profili i Gazmend Hoxhës, drejtorit të ri të Policisë së Kosovës

Më: 8 mars 2023 Në ora: 14:57
Gazmend Hoxha

Pas rreth gjashtë muajsh duke funksionuar me ushtrues detyre, Policia e Kosovës sot u bë me drejtor të ri. Në mbledhjen e Qeverisë, Gazmend Hoxha u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Policisë. Ai deri tani ka shërbyer si Drejtor i Departamentit për Operacione në këtë institucion. Ashtu siç veprojnë rëndom drejtorët e PK-së, as Hoxha nuk është deklaruar për synimet e vizionin e tij në krye të kësaj pozite të rëndësishme.

Në konkursin për Drejtor të Policisë aplikuan vetëm pesë persona, këtë e tha edhe sot në mbledhje zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra. Ai tha se katër nga pesë kandidatët kishin hyrë në listë të ngushtë, por pas vlerësimit profesional ishin rekomanduar tre kandidatë duke triumfuar Gazmend Hoxha.

Shumë drejtorë janë ndërruar që nga themelimi i Policisë së Kosovës, rruga e Gazmend Hoxhës për t’u bërë drejtor erdhi pas dorëheqjes  së Samedin Mehmetit që ndodhi pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares nga disa persona të ndryshëm.

“Pas një rasti kaq të rëndë besoj është akt profesional të jap dorëheqje”, kishte deklaruar ish-drejtori Samedin Mehmeti.

Punën në Policinë e Kosovës, Gazmend Hoxha e filloi në vitin 2000, ndërsa pozitën e si Drejtor i Departamentit për Operacione e kishte marrë në vitin 2020.

Por ai edhe në të kaluarën kishte udhëhequr pozita të larta në këtë institucion si në vitin 2009 kishte qenë edhe drejtor i Njësive Speciale, kurse në vitet 2010-2011 ishte emëruar Drejtor kundër Krimit të Organizuar e në vitin 2012 ishte emëruar Drejtor i Policisë në Ferizaj.

Gazmend Hoxha ka bërë deklarimin e pasurisë së tij në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Si pasuri të paluajtshme Hoxha e ka deklaruar një banesë 65 m2, në vlerë prej 55 mijë euro, të blerë me kursime familjare dhe kredi. Shtëpi banimi 200 m2 dhe tokë e mal 3 hektarë, të përbashkëta të trashëguara.

Si pasuri të luajtshme, Hoxha i ka deklaruar dy vetura, njëra në vlerë 2 mijë e 800 euro e tjetra 5 mijë e 500 euro, të blera me kursime e kredi.

Ai i ka deklaruar 2 mijë e 700 euro si para të gatshme.

Teksa si detyrime i ka deklaruar 15 mijë euro kredi të bashkëshortes së tij dhe 35 mijë euro kredi të tij, pagesë për banesë dhe mbyllje të kredisë.

I njëjti ka deklaruar se nuk posedon aksione në shoqëri komerciale.

Të hyrat vjetore i ka rreth 18,103 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat