“Të qortova, sepse e teprove”, “mos ofendo” - debat i ashpër në Kuvendin e Kosovës – “nxehet” edhe Vitia

Aktuale

“Të qortova, sepse e teprove”, “mos ofendo” - debat i ashpër në Kuvendin e Kosovës – “nxehet” edhe Vitia

Nga: Bota sot Më: 9 mars 2023 Në ora: 06:45 Përditësuar në ora: 15:36 më 09.03.2023
Kuvendi i Kosovës

Nuk miratohet Projektligji për fertilizimin e asistuar mjekësor, s’votojnë deputetë të LVV-së

Kuvendi i Kosovës s’ka pasur kuorum për të miratuar Projektligjin për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

Për të njëjtin nuk morën pjesë në votim disa deputetë të mazhorancës, kurse abstenuan dhjetë nga ta.

Në anën tjetër u ngritën dyshime nga deputetët opozitarë edhe për çështjen e përcaktimit të gjinisë së fëmijëve me fertilizim të asistuar mjekësor, por ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia i mohoi të njëjtat duke thënë se me këtë projektligj ndalohet përcaktimi i gjinisë.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se kjo nismë ligjore është e rëndësishme dhe e thyen status quo-në në Kosovë për fertilizimin e asistuar mjekësor.

Vitia: Projektligji e thyen status qou-n në Kosovë për fertilizimin e asistuar mjekësor

“Siç dihet shumë shpesh, nismat e reja që prishin në një mënyrë status-qou dhe veçanërisht ato të cilat vendosin ose synojnë të vendosin rregull dhe të hapin atë fushë për më shumë përfitues pasohen shpesh edhe nga kritika dhe sulme të pabaza. Nuk është se nuk presim të tilla në vendin tonë dhe veçanërisht në një fushë specifike... Dua të theksoj se paralel me këtë nismë ligjore ne kemi bërë gati edhe fillimin e IVF në SSHKUK, përveç shpenzimeve të këtij lloji nuk janë të pakta rastet kur qytetarët janë përballur edhe me situata shumë komplekse si në rastin e embrioneve kur organet e rendit kishin kryer procedurat jashtë standardit”, tha ai.

Por, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, tha se nuk duhet të ketë ndërhyrje te përcaktimi i gjinisë me këtë ligj. Këtë, ai tha se, e përcakton vetëm Zoti dhe askush tjetër.

Haxhiu: Të drejtën e gjinisë e përcakton vetëm Zoti dhe askush tjetër

“Ne në Komision kemi abstenuar te neni 31, çështja për përcaktimin e gjinisë. Aktualisht me këtë projektligj, kjo çështje lë mundësinë që te përcaktimi i gjinisë të vendosë një komision që themelohet nga Ministria e Shëndetësisë.

Kjo çështje me ligj duhet të ndalohet rreptësishtë dhe nuk duhet lënë mundësinë e interpretimeve të ndryshme që mund të shfrytëzohen tek të tjerët... Jam i bindur dhe duhet të jetë kështu se përcaktimi i gjinisë nuk duhet me vendosë tek një komision, përcaktimin e gjinisë e ka vetëm Zoti dhe askush tjetër”, theksoi Haxhiu.

Por ministri Vitia tha se në disa raste janë disa sëmundje të trashëgueshme që bartën vetëm tek njëra gjini.

Vitia: Ndalohet përcaktimi i gjinisë

“Ndalohet përcaktimi i gjinisë. Ndalohet, por janë disa sëmundje të trashëgueshme qe barten vetëm tek njëra gjini, prandaj në raste të tilla fëmija rrezikon të lindë me sëmundje që janë vdekjeprurëse”, nënvizoi ai.

Në debat u përfshi edhe deputeti i LVV-së, Eman Rrahamni, i cili e kundërshtoi këtë Projektligj pasi tha se cenon vlerën e familjes.

Rrahamani: Ky projektligj cenon vlerën e familjes

“Parimisht duhet të rishikohet ky projektligj i propozuar nga ministri, pasi cenon familjen. Familjen të cilën neve ose të paktën unë besoj dhe angazhohem për mbrojtjen e vlerave të saj.

Njërën prej neneve e drejtave të fertilizimit iu jepet edhe vajzave të pamartuara, por edhe çështje të tjera që u folën nga deputetët parafolës”, tha ai.

Përveç Rrahmanit, përmes mospjesëmarrjes në votim këtë projektligj e kundërshtoi edhe deputeti tjetër i LVV-së, Gramos Agusholli.

Kuvendi shkon në pauzë deri në orën 16:00

Seanca e Kuvendit të Kosovë ka shkuar në pauzë deri në orën 16:00.

Pas rikthimit nga pauza pritet të diskutohet shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-214 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-163 për minierat dhe mineralet, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-158,

shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2021,

shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe monitorimi i tyre mbi ndikimin në mjedis dhe ujëra”,

shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit “Performanca financiare dhe operative NP “Trepça Sh.A”,

emërimi i drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,

si dhe shqyrtimi i Projekt-Deklaratës në mbështetje të Fondit Kosovaro-Amerikan për Arsim (KAEF).

​Vitia thotë se Komisioni ekzekutiv për shëndetësi është aktiv

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia është përplasur me deputetin e PDK-së, Bekim Haxhiu për Komisionin ekzekutiv për shëndetësi, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovë.

Megjithatë, deputeti Haxhiu e mirëpriti referimin e ministrit Vitia karshi tij si profesor-doktor.

Derisa deputeti Haxhiu ka thënë se ky komision është formuar vetëm për të detyruar ish-ministrin Rifat Latifi të jep dorëheqje, Vitia e ka mohuar këtë dhe ka thënë se komisioni është ende aktiv dhe po kryen përgjegjësitë e veta.

Vitia: Komisioni ekzekutiv është ende aktiv dhe po kryen detyra te veta

“Ky komision është akoma aktiv dhe ka kryer detyrat e veta konfrom përgjegjësive që ka pasur. Në pikën e parë është bërë shtesa për profesionistët shëndetësor, ata që punojnë vetëm në sektorin publik.

Është bërë rritja e kapaciteteve monitoruese përmes rritjes së numrit të inspektorëve që tash do të del konkursi për 42 të tillë.

Po ashtu tema të tjera që kanë ardhur si rekomandime dhe që do të adresohen në ligje dhe rregullore, si ligji për shëndetësinë, sigurimet shëndetësore që këtë vit do të finalizohen”, tha ai.

Por deputeti opozitar, Bekim Haxhiu, tha se tani po shihet se nuk ka asgjë prej këtij komisioni.

Haxhiu: Ky komision e ka kryer misionin e vet, detyrimin e ish ministrit Rifat Latifi për të dhënë dorëheqje

“Mbledhjet e këtij komisioni në fillim kanë qenë publike dhe janë raportuar çdo herë por prej kur ka jep dorëheqje Rifat Latifi, ma nuk ka asgjë sa i përket këtij komisioni. Pra e ka përmbush misionin e tij për me detyruar Lifat Latifin me dhënë dorëheqje”, tha ai.

Në anën tjetër, ministri Vitia foli edhe për kthimin e kuadrove mjekësor nga diaspora shqiptare, ku tha se deri tani janë paraqitur mbi 20 profesionistë shëndetësorë.

Në diskutim e sipër, ministri Vitia iu referua deputetit Haxhiu si profesor-doktor të fizioterapisë

Vitia: Mbi 20 profesionistë shëndetësor nga diaspora janë paraqitur për të punuar në Kosovë

“Për mbi 20 tani janë paraqitur dhe jemi duke akomoduar që të vijnë këtu bash për atë që thatë ju. T’iu rikujtojë deputetët të nderuar dhe ju profesor doktor Haxhiu që një nga arsyet që mjekët ikin nuk janë vetëm për rroga. Një nga arsyet është pamundësia për zhvillimin e tyre profesional”, tha ai.

Këtë e mirëpriti deputeti Haxhiu, i cili i kërkoi, siç e quajti reflektimin e tij edhe të pasohet edhe nga kryeministri Kurti që t’i adresohet si profesor-doktor.

Haxhiu: Ky reflektim i juaji të pason edhe nga kryeministri Kurti që të adresohet si profesor-doktor

“Faleminderit ministër për respektin që e po e tregoni edhe ndaj meje.

Besoj se ky reflektim i juaj të pason edhe tek kryeministri të më adresohet njëjtë sikur ju dhe jo me terma pezhorativ që ka folur këtu në Kuvend për profesionin e fizioterapisë”, theksoi ai.

​Vitia: Javën e ardhshme e nënshkruajmë udhëzimin e ri për shkollimin specialistik

Udhëzimi i ri administrativ për shkollimin specialistik pritet të nënshkruhet javën e ardhshme. Kështu ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia para ligjvënësve në Kuvend.

Vitia tha se me konkursin e ri të specializimeve prioritet kanë lëmit që ka më shumë nevojë.

Vitia: Udhëzimin administrativ e nënshkruajmë javën e ardhshme

“Në udhëzimin administrativ që do të nënshkruhet javën e ardhshme jemi munduar që ta adresojmë secilin nga këto probleme që janë identifikuar..

Me konkursin e ri të specializimeve në përputhje me nevojat e sistemit tonë shëndetësor do të ndajnë specializime me prioritet për lëmit ku ka më shumë nevojë dhe për profilet tashmë të identifikuara si deficitare me të cilat po përballet sistemi jonë shëndetësor”, tha ai.

Shpërthejnë të qeshurat në Kuvend pas deklaratës së Konjufcës për Vitinë

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka shkaktuar të qeshura edhe në seancën e sotme, pas një pyetje që i bëri Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitisë.

Ishte deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu, ai e cili i tha Ministrit që s’ka qenë në gjendje qe 18 vite ta përfundojë specializimin.

‘I nderuar doktor i përgjithshëm, kandidat për specializim qe 18 vite, kërkova një përgjigje. Çka me thanë z.Vitia qe 18 vjet një specializim s’ke qenë në gjendje me kry. Uroj të punosh në sektorin privat më shumë…”, tha Haxhiu.

Pas kësaj ndërhyri Konjufca, i cili duke qeshur e pyeti Vitinë se pse s’po e përfundon doktorraturën si deputeti Haxhiu, deklaratë pas së cilës shpërthyen të qeshurat.

“Ministër, pse s’po e kryen doktorraturën si Bekimi ti?“, tha Konjufca.

​Musliu e Haxhiu përplasen për çështjen e femicidit

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka shprehur kundërshtimin e saj karshi deklarimeve të deputetes së Arjet Fezja dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të cilat thanë se ka femicid në Kosovë.

Musliu tha se në Kosovë nuk ka femicid por ka dhunë ndaj grave që duhet të luftohet me ligj e rregulla.

Ajo madje shtoi pyetje se kujt po i konvenon që shoqërinë kosovare me bërë shoqëri femicide.

Musliu: Të trajtohemi ne si shoqëri femicide, kjo është e papranueshme

“Kujt po i konvenon që me bë shoqërinë tonë shoqëri femicide. Në Kosovë nuk vriten gratë veç pse janë gra, kuptojeni njëherë e përgjithmonë. Fjala femicid thotë urrejtje ndaj grave me përmasa të mëdha, ka dhunë ndaj grave, ka që vriten gra, vriten edhe burra por nuk guxojmë që në këtë parlament t’i japim emrin femicid, duhet të jem të kujdesshëm sepse shkruhen raporte se çka flasim ne këtu. Dhe të trajtohemi ne si shoqëri femicide, kjo është e papranueshme, a jam për t’u dënuar vrasjet në Kosovës po, a jam për t’u vendosur drejtësi efektive po, por nuk dua drejtësi selektive. Drejtësia duhet të jetë si për burrat dhe gratë“, tha ajo.

Arjeta Fejza nga Lëvizja Vetëvendosje, u shpreh se tendenca për ta realitivuar një dukuri që po vret gratë është e papranueshme.

Ajo tha se në Kosovë ka femicide dhe gratë vriten veç pse janë gra.

Fejza: Në Kosovë ka femicid

“Tendenca për ta relativizuar një dukuri e cila në Kosovë i kemi 66 gra të vrava dhe të themi se gratë në Kosovë nuk vriten vetëm pse janë gra. Unë konsideroj se kjo është e papranueshme prandaj në këtë linjë konsiderojmë se është e rëndësishme që institucionet të angazhohem të kemi shumë barazi dhe drejtësi...në Kosovë nuk do mend që ka femicid dhe vrasje të grave veç se janë gra”, tha ajo.

E më pas reagoi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se mendësia e deputetes së PDK-së, shpërfaqë mendësinë e qeverisjes së PDK, sikurse edhe qeverisjeve të tjera të cilat nuk kanë bërë asnjë veprim për ta adresuar dhunën në familje.

Haxhiu: Mendësia e Musliut shpërfaqë mendësinë e qeverisë së PDK

“Nuk do të doja që në këtë foltore të Kuvendit të Kosovës të kemi deputete e deputet të Kuvendit të Kosovës që ka një qasje të tillë bënë një deklarim të tillë sepse në fakt ata dhunuesit dhe kriminelët potencial kur iu dëgjojnë teksa flisnin sigurisht që inkurajoni nga fjala jote….Po në Kosovë ka femicid por në fakt mendësia jote shpërfaqë mendësinë e qeverisjes së PDK sikurse edhe qeverisjeve të tjera sepse asnjë veprim nuk e keni ndërmarrë asnjëherë për ta adresuar dhunën në familje dhe baza gjinore, dhunën ndaj grave dhe është hera e parë që Qeveria e Kosovës po e adreson seriozisht duke marrë veprime konkrete për luftimin e kësaj dukurie”, tha ajo.

E tutje, ministrja Haxhiu iu drejtua deputetes Musliu duke i thënë se janë të papërmirësueshëm.

Haxhiu: Jeni të papërmirësueshëm zonja Musliu

“Ju në njëfarë forme arsyetuat vrasjet ndaj grave. Jeni të papërmirësueshëm zonja Musliu, njësoj keni vepruar edhe në kohën kur kemi proceduar projektligjin për njohjen e statusit të grave të dhunuara gjatë luftës njësoj keni vepruar prandaj jeni të papërmirësueshëm”, tha haxhiu.

Pas kësaj reagoi përsëri, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila nga institucionet e vendit kërkoi mbrojtje.

Musliu: Qysh sot kërkoi nga shteti të më ofroj ndihmë dhe të më mbroj

“Qysh sot kërkoi nga shteti të më ofroj ndihmë dhe të më mbroj sepse edhe unë grua dhe petku i deputetes nuk më mbron mua nga fenomeni femicid që qenka në Kosovë“, tha ajo.

Vitia: 23 mjekë nga mërgata, të gatshëm të vijnë dhe të japin trajnime e trajtime në QKUK

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se pas thirrjes nga ministria deri tani 23 mjekë nga mërgata janë shprehur të gatshëm që të vijnë dhe të japin trajnime dhe trajtime në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Vitia, në seancën e kuvendit, tha se janë edhe gjashtë specializantë që veçse kanë ardhur për të shërbyer në sektorin privat shëndetësor.

“Udhëzimi Administrativ i cili tashmë ka hyrë në fuqi dhe i rregullon procedurat e licencimit të profesionistëve të huaj shëndetësor është që eksperiencat e mjekëve sidomos drejtimet specialistike si në nivelet akademike ashtu profesionale që të vijnë në Kosovë dhe me përvojat e tyre të na ofrojnë trajtime por edhe trajnime në nivele të ndryshme të sektorit tonë shëndetësore”.

“Deri tani janë 23 mjekë të cilët deri tani kanë shprehur gatishmërinë dhe kanë dërguar të gjitha informatat që të vijnë për të trajnuar dhe për të dhënë edhe trajtime në sistemin publik dhe jemi duke punuar bashkë me SHSKUK-në që t’i akomodojmë në sektorët që ka më së shumti nevojë ndërsa në sektorin privat deri tani janë 6 specialistë që kanë ardhur” u shpreh Vitia.

Haxhiu i reagon Musliut: Në Kosovë ka femicid, mohimi i inkurajon kriminelët

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka reaguar deputetes së PDK-së, Ganimete Musliut, e cila ka thënë se në Kosovë nuk ka femicid.

Sipas Haxhiut, në Kosovë ka femicid dhe mohimi i tij i inkurajon kriminelët.

Ministrja ka thënë se mendësia e Musliut është mendësie e PDK-së e cila nuk ka bërë asgjë për ta luftuar dhunën ndaj grave.

Kujtojmë, se është duke u zhvilluar seanca e Kuvendit.

Musliu i përgjigjet Fejzës: Në Kosovë nuk ka femicid, ka dhunë ndaj grave

Deputetja nga Partia Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, i është kundërpërgjigjur deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejzës, e cila e ka përdorur termin femicid për dhunën ndaj grave që po ndodh në Kosovë.

Sipas Musliut, në Kosovë nuk ka femicid, por ka dhunë ndaj grave e cila duhet të ndëshkohet me ligj.

“Ju lutem kujt po i konvenon që shoqëria kosovare të konsiderohet si shoqëri femicide. Ka që vriten gra dhe burra, por nuk guxojmë në parlament ta quajmë femicid”.

“Duhet të jemi të kujdesshëm sepse shkruhen raporte për atë çka thuhet në kuvend. Në Kosovë nuk ka femicid, ka dhunë ndaj grave. Të jemi të kujdesshëm sepse fjala publike ka peshë”.

“Ministri qenka bë nervoz”, “Mos kallëzoni të pavërteta aman”/ Haxhiu e Vitia përplasen në Kuvend

Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu dhe ministri i Shëndetësisë Arben Vitia gjatë seancës së sotme janë përplasur për një kontratë, që Haxhiu thotë se është nënshkruar pa autorizim marketingu, e Vitia e mohon këtë.

Haxhiu tha se Vitia është i gatshëm të flasë për gjithçka, por jo për “12 milionë euro keqpërdorime nga bordi i ShSKUK-së në vitin 2021”.

“Ai nuk është i gatshëm të flasë për 12 milionë euro keqpërdorime nga bordi iShSKUK për vitin 2021 që i ka evidentuar Zyra e Auditorit Kombëtar. Ky sot thotë nuk nënshkruj kontrata pa autorizim marketingu, po harron se në kohën e pandemisë, ky është ministri që ka nënshkruar kontrata pa autorizim marketingu dhe për këtë është hetuar nga komisioni hetimor parlamentar. Ky për çdo gjë jep përgjigje, por jo për punën e tij”, tha Haxhiu.

“Udhëzimi administrativ për barna është nënshkruar në vitin 2019. Nëse mendoni se ju jeni më i madh se ligji, është çështje që ju mendoni”, shtoi ai.

Mirëpo, Vitia tha se deputeti Haxhiu po e shfrytëzon kohën për të pavërteta.

“Z. Haxhiu ju po e shfrytëzoni foltoren e Kuvendit për të thënë të pavërteta bre. Por nuk është  e vërtetë që kam nënshkruar asnjë pa autorizim marketing o zoti Haxhiu, merre sillma këtu, jap përgjegjësi. Se komisioni për këtë punë u bë’keni gjetur kurrgjë. Mos kallëzoni të pavërteta aman, mos e helmoni këtë popull… Po, toni jem është shumë ma emocional. Natyrisht jam edhe mjek, edhe natyrisht që detyra jem është t’i kryej detyrat sepse pa emocion s’mund t’i shtyj këto”, tha Vitia.

Më pas, sërish e mori fjalën Haxhiu, i cili tha se “ministri qenka bërë nervoz”.

“Ky ministri i Shëndetësisë qenka bë nervoz shumë, por ky nuk është për me i jep leksion deputetëve dhe me shfrytëzu foltoren për britma e piskama, kur ne kërkojmë llogaridhënie”, tha Haxhiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat