Lajçak shprehet i kënaqur pas takimeve të veçanta me Osmanin dhe Kurtin: U përmbush ky qëllim!

Aktuale

Lajçak shprehet i kënaqur pas takimeve të veçanta me Osmanin dhe Kurtin: U përmbush ky qëllim!

Më: 9 mars 2023 Në ora: 10:37 Përditësuar në ora: 19:28 më 09.03.2023
Vjosa Osmani dhe Miroslav Lajçak

Qeveria jep detaje nga takimi Kurti-Lajçak

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.

Në takim u diskutua për përgatitjen e takimit të nivelit të lartë të caktuar për datën 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

"Kryeministri Kurti theksoi gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë që të jetë një palë konstruktive, e përgjegjshme dhe e përkushtuar në parimet e demokracisë liberale e të vlerave të Bashkimit Evropian", thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrisë, përcjell "Bota sot".

Në këtë frymë, ai gjithashtu shprehu pritshmërinë e tij që Bashkimi Evropian të punojë në drejtim të përmbylljes së suksesshme të procesit të Marrëveshjes për Normalizim përmes nënshkrimit zyrtar të saj në takimin e radhës.

​Lajçak pas takimeve me krerët e shtetit: Qëllimi i vizitës në Kosovë është përmbushur

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak deklaroi sonte se qëllimi kryesor i vizitës së tij në Kosovë është përmbushur.

Pas takimeve me krerët e shtetit, ai tha se ka marrë vizionin e Kosovës për zbatimin e planit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe të njëjtat ishin në kuadër të pritjeve të tij. Ai nënvizoi se pret që në takimin e radhës më 18 mars në Ohër të ketë një dokument që do të nënshkruhet nga palët. 

Lajçak: Takimi me Kurtin ishte konstruktiv dhe i dobishëm 

“Ju e dini se takimi i 27 shkurtit në Bruksel ishte i suksesshëm, ku liderët, kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq u pajtuan se nuk ka nevojë të diskutohet më tej për marrëveshjen. Kështu që teksti u pranua dhe është publikuar deri më tani, kështu që të gjithë e dinë se çfarë është propozimi, për çfarë është marrëveshja, por sigurisht, ne gjithashtu ramë dakord që ky të bëhet një dokument ligjërisht i detyrueshëm, duhet gjithashtu të biem dakord se si të zbatohet. Pra, ne duhet të dimë se cilët janë hapat? Cila është sekuenca, cilat janë afatet kohore? Përndryshe do të jetë vetëm detyruese politike por jo formalisht, prandaj qëllimi i vizitës sime sot në Prishtinë është që të diskutoj zbatimin e këtij dokumenti me kryeministrin Kurti. Dhe mund të them se patëm një diskutim konstruktiv të rëndësishëm dhe shumë të dobishëm”, tha ai. 

Lajçak u shpreh se në fillim të javës së ardhshme do të udhëtojë për në Beograd për të dëgjuar edhe atje mënyrën e zbatimit të planit të BE-së. 

Lajçak: Takimi ka përmbushur pritjet e mija për zbatimin e planit të BE-së 

“Takova edhe zonjën Presidente dhe diskutuam me të. Unë do të vazhdoj vizitën time duke biseduar me partitë politike, partitë politike opozitare dhe me komunitetin ndërkombëtar, por qëllimi kryesor i kësaj vizite është të shohim se si e sheh Kosova zbatimin dhe ky takim ka përmbushur këtë, pritjet e mija në atë kontekst. Të hënën dhe të martën do të jem në Beograd me të njëjtin qëllim, të dëgjoj nga Serbia se si e shohin zbatimin e këtij dokumenti. Dhe pastaj do të shpresojmë se do të kemi një dokument për të cilin do tē pajtohen më 18 mars, në Ohër. Por sigurisht që është e pamundur në këtë pikë të them më shumë se takimet e mia janë ende duke vazhduar. Por unë thashë, ne diskutuam saktësisht se për çfarë kam ardhur këtu me kryeministrin Kurti, dhe tani e di shumë më mirë për pritshmëritë e Kosovës për zbatimin”, nënvizoi ai. 

Sipas tij, para se të shkohet në Ohër për nënshkrim të marrëveshjes duhet dakordim paraprak për zbatimin e marrëveshjes. 

Lajçak: Ambicia është që të finalizohet zbatimi i marrëveshjes 

“Shikoni, le të fokusohemi vetëm te finalizimi tani, ky është hapi 2, dhe hapi 3 do të jetë zyrtarizmi dhe do të arrijmë atje, por së pari duhet ta bëjmë hapin 2. Pra, siç thonë, ne do ta kalojmë atë urë kur arrijmë atje, dhe do t'i diskutojmë në Ohër, por ambicia është, sigurisht që ta finalizojmë dhe të finalizojmë programin e zbatimit”, tha Lajçak. 

Sa i përket mundësive që këtë marrëveshje të miratohen në kuvendet e Kosovës dhe Serbisë, Lajçak shtoi se palët kanë procedurat e brendshme të tyre, të cilat duhet të ndiqen.

Osmani pas takimit me Lajçak: Aneksi i zbatimit të marrëveshjes të jetë sipas kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajčák.

Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, me ç’rast Presidentja Osmani ka ritheksuar se Republika e Kosovës mbetet e angazhuar për një proces, i cili i kontribuon paqes afatgjate, sigurisë dhe prosperitetit të qëndrueshëm në rajon.

Presidentja Osmani potencoi se aneksi i zbatimit të marrëveshjes bazë, të dakorduar në Bruksel, duhet të jetë në frymën e parimeve të miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, gjegjësisht, paprekshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës.

Tutje, Presidentja Osmani ka thënë se Kosova mbetet palë konstruktive në procesin e dialogut dhe e koordinuar me partnerët e saj, ndërsa ka ritheksuar se fjalën përfundimtare rreth një marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës në përputhje me procedurat kushtetuese.

Presidentja Osmani gjithashtu ka mirëpritur vendimin e sotëm të Këshillit të Bashkimit Evropian ku në mënyrë unanime është miratuar e drejta e qytetarëve të Kosovës për të udhëtuar në shtetet e zonës Schengen pa vizë.

Lajçak takohet me Kurtin

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit, me presidenten Vjosa Osmani, është drejtuar në ndërtesën e Qeverisë.

Aty, Lajçak do ta takojë kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Lajçak po qëndron sot në Kosovë, para takimi të 18 marsit që do të mbahet në Ohër mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Nis takimi Osmani-Lajçak

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu ka pritur në takim Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak..

Takimi është duke u mbajtur në Presidencë pa praninë e mediave.

Lajçak pritet që më orën 16:00 të zhvillojë takim edhe me Kryeministrin Kurti.

Takimi i radhës në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të mbahet më 18 mars në Ohër.

Lidhur me këtë takim, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak ka thënë se pret që palët të pajtohen për rrugën e implementimit të marrëveshjes së 27 shkurtit.

“Ne presim që palët të pajtohen për rrugën e implementimit dhe për këtë palët duhet të përgatiten për konstruktivitet për propozimet, bazuar në tekstin tonë. Kjo është ajo çka unë pres që të diskutojmë me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq gjatë vizitës sonë në Prishtinë dhe Beograd”, është shprehur Lajçak.

Lajçak, përveç Kurtit sot do ta takojë edhe Osmanin, kjo është arsyeja e takimit

Sot, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak do të vijë në Kosovë për tu takuar me kryeministrin, Albin Kurti e presidenten, Vjosa Osmani, në lidhje me Planin Evropian.

Takimi me Kurtin pritet të fillojë në ora 16:00, ndërsa me Osmanin në ora 14:00.

Ndërkaq, takimi i ardhshëm në mes kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të mbahet me 18 prill, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Aty pritet të diskutohet në lidhje me Propozimin franko-gjerman.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat