Aktivistja i drejtohet Musliut: Totalisht e painformuar, mos ironizo me gratë që torturohen

Aktuale

Aktivistja i drejtohet Musliut: Totalisht e painformuar, mos ironizo me gratë që torturohen

Më: 9 mars 2023 Në ora: 14:39
Ganimete Musliu

Sot, në seancën e Kuvendit deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka deklaruar se në Kosovë nuk ka femicid. Ndaj kësaj deklarate ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se që nga viti 2000 në Kosovë janë vrarë 66 gra, për faktin e vetëm se janë gra.

Në lidhje me këtë debat ka reaguar aktivistja, Neri Ferizi, ku sipas saj, deputetja Musliu ia ka huqur me argumentimin që ka bërë për termin.

“Ganja është totalisht e painformuar për terminologjinë që  përdoret për vrasjet e grave. Femicidi nuk ka të bëjë me urrejtjen ndaj grave. Është pikërisht kjo që po ndodhë në Kosovë, gratë vriten për shkak të “nderit”. Ky koncept i përditshmërisë sonë është shumë i zgjeruar, ku krejt morali vendoset tek gratë, tek mënyra se si ato kanë vendos me e jetu jetën e tyre, pastaj të humbjes së pushtetit të burrave”, ka thënë Ferizi.

Ndërsa, sa i përket deklaratës së Musliut, ku ajo me ironi ka kërkuar që institucionet ta mbrojnë atë sepse është grua, Ferizi e ka cilësuar si të tmerrshme.

“Ganja është deputete dhe ajo nuk mund të ironizojë deri në atë pikë. Pasi shumë gra nuk e kanë pozitën e saj, nuk kanë mundësi si ajo që ta ngrisin zërin për vete, shumë gra janë të persekutuara dhe janë duke luftuar me jetën, e kur e sheh një deputete të tillë që del në Kuvend dhe mbase shfrytëzon edhe votat e grave që torturohen në shtëpitë e tyre, është situatë e tmerrshme”, ka thënë aktivistja.

Ferizi gjithashtu e ka këshillar Musliun që herave tjera të përdorë Google që të informohet.

“Unë deputetes i kisha sugjeru që kur flet për diçka të bëjë një hulumtim të vogël, të informohet. Egziston një gjë e quajtur Google, që ia kanë mundësuar ingjinierët, ku për çfarëdo terminologjie mund të  gjejë material, madje ka edhe hulumtime shkencore. Kështu që, le të informohet bre, se nuk i kushton asgjë”, ka thënë ajo.

“Ganja gjithashtu kishte thënë se me demek feministet kanë najfarë agjende, kjo përnime është për dëshpërim. Edhe neve që jemi pak në numër, e që jemi duke e luftuar këtë kauzë me na thënë që jemi të paguar apo kemi ndonjë agjendë, kjo është tmerr të vije prej një gruaje që ne e kemi zgjedhur të na përfaqësoj e ta ngris zërin për gratë e tjera”, ka deklaruar Ferizi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat