​AAK paralajmëron protesta

Aktuale

​AAK paralajmëron protesta

Më: 10 mars 2023 Në ora: 12:18
​AAK

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka shprehur shqetësim për paralajmërimet për rritje të çmimit të energjisë elektrike. 

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, në konferencë për medie të premten, tha se nuk do të lejojnë që një gjë e tillë të ndodh, madje theksoi se do të organizojnë edhe protesta nëse është e nevojshme. 

Lekaj: Rritja e çmimit të energjisë është një shok lajm për gjithë qytetarët 

“Ky është një shok lajm për të gjithë qytetarët e Kosovës, bizneset dhe ndërmarrjet e vendit, dhe për të gjithë kjo është e paarsyeshme dhe jo e pranueshme për të gjithë qytetarët. Janë disa arsye pse ne mendojmë që kjo nuk duhet të ndodhë. Si është e mundur duke marre parasysh subvencionet e ndara nga qeveria vitin e kaluar për zbutjen e ndikimit të rritjes së çmimit të energjisë, nuk shihet e arsyeshme te ketë rritje të dytë të çmimit”, tha ai. 

Sipas tij, kërkesa Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për shtrenjtim të tarifave për 14 për qind është absurde. 

Lekaj: Do të kundërshtojmë rritjen e energjisë elektrike edhe me protesta nëse është e nevojshme 

“Qeveria duhet ta dijë që qytetarët e vendit janë të lodhur nga shtrenjtimi i secilit artikull dhe jetesa është bërë e vështirë, ku një familje nuk po mundet ta sigurojë as shportën familjare. Vetëm të mendosh edhe një rritje tjetër te çmimit te energjisë nuk është normale dhe as e arsyeshme. Në se ndodh kjo rritje, qytetarin e vendos në varfëri te skajshme dhe në luftë për ekzistencë e mbijetesë. Nëse ndodhë kjo rritje, atëherë qëllimshëm po nxitet dhe stimulohet edhe më shumë ikja e qytetarëve nga vendi. Prandaj, mbi këto që thashë, ne si AAK jemi kategorik kundër kësaj rritje dhe nuk do ta lejojmë që kjo të ndodhë. Këtë do të bëjmë me angazhimin tonë politik në Kuvendin e Kosovës, në komisionet përkatëse dhe do të bisedojmë edhe me qytetarët që nëse e shohin ne të kemi edhe protesta”, shtoi ai. 

Deputeti opozitarë tha se derisa KEK-u, është në gjendje stabile, s’ka arsyeja të rritjes së çmimit të energjisë elektrike. 

Zyra e Rregullatorit të Energjisë pritet që deri në fund të këtij muaji t’i caktojë tarifat e energjisë, që do të hyjnë në fuqi më 1 prill 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat