Shtatzënia me metodën IVF, kolektivi feminist i reagon deputetëve: Nëse s’keni uterus, msheleni gojën

Aktuale

Shtatzënia me metodën IVF, kolektivi feminist i reagon deputetëve: Nëse s’keni uterus, msheleni gojën

Më: 10 mars 2023 Në ora: 20:11
Kolektivi feminist i ka dal në mbrojtje nënkryetares së Kuvendit të Kosovës

Kolektivi për mendim dhe veprim feminist i ka reaguar deputetit të VV-së, Eman Rrahmanit pas reagimit të tij për deklaratat e Saranda Bogujevcit për shtatzëninë përmes metodës IVF.

Kolektivi feminist i ka dal në mbrojtje nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, duke thënë se e përkrahin për të drejtën e patjetërsueshme mbi trupin e tyre.

Nga ky kolektiv kanë thënë se deklaratat e deputetit Rrahmani kundërshtojnë të drejtat dhe liritë themelore të grave.

Reagimi i plotë:

Eman Rrahmanit dhe Rrahmanëve të tjerë të kuvendit sonte ua lamë këtë porosi në muret e kuvendit. E po të njëjtën ua themi të gjithë atyre burrave të skandalizuar nga deklarata e Saranda Bugujevcit për shtatëzaninë e saj përmes metodës IVF. Duke i qëndruar përkrah Sarandës e çdo gruaje tjetër në të drejtën e patjetërsueshme mbi trupin e tyre, ne ua rikujtojmë të gjithëve që nuk ua durojmë më moralizimet mbi trupat tanë. E drejta mbi trupat tanë na takon neve dhe vetëm neve!

Deklaratat e djeshme të deputetit Rrahmani që kundërshtojnë të drejtat dhe liritë themelore të grave për riprodhim janë të rrezikshme meqë cyten ta legjitimojnë shtypjen e grave dhe cënimin e të drejtës që ato të vendosin për trupat e tyre. Vizioni patriarkal i Rrahmanit ka nxitur gjuhë urrejtjeje ndaj Sarandës dhe grave anembanë Kosovës dhe kësaj duhet t’i vijë fundi.

Ne shprehim indinjatën tonë që institucionet publike vazhdojnë të jenë të populluara me patriarkalë të cilët skandalizohen kur gratë marrin vendime për vete. Deputeti Rrahmani e të ngjashmit e tij patriarkalë nuk mund ta keqpërdorin edhe më tej lirinë e shprehjes për të shpërndarë gjuhë urrejtjeje e ideologji patriarkale në kuvend e hapësira tjera publike a private. E edhe kur kjo ndodhë, institucionet dhe shoqëria nuk mund të vazhdojnë të tolerojnë që një ligjërim i tillë zvetnues e stigmatizues të zë vend në ligjërimin publik meqë dhunon në mënyrë të drejtpërdrejt gratë.

Ne sonte e shpallim Rrahmanin të padëshiruar në Kuvend dhe e paralajmërojmë atë dhe shokët e tij që ne do kundërvihemi fallocentrizmit të tyre e çdo tentative për të na shtypur dhe s’do ndalemi së thëni me zë të lartë që liria mbi trupin tonë na takon veç neve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat