Hoxha: Qeveria harroi edhe dëmet e luftës, nuk i përmendi fare në marrëveshjen me Serbinë

Aktuale

Hoxha: Qeveria harroi edhe dëmet e luftës, nuk i përmendi fare në marrëveshjen me Serbinë

Më: 10 mars 2023 Në ora: 21:19
Sejdi Hoxha

Në emisionin EURO n’7 u tha se Qeveria e Kosovës nuk ka përmendur fare dëmet e luftës në dakordimin e fundit me Serbinë mbi propozimin franko-gjerman. Në pikën 2 të preambulës së marrëveshjes me Serbinë kur është dakorduar për tejkalimin e së kaluarës,, nuk është përmendur fare se çfarë do të ndodh me dëmet e luftës, me fondin pensional e as e ndarjen e pasurisë së ish-Jugosllavisë.

Ujkan Bajra, profesor universitar, tha se me apo pa qëllim qeveria nuk ka përmendur askund se çfarë do të ndodh me dëmet e luftës. Sipas tij, kryeministri Kurti është dashur që në këtë marrëveshje të fus si pikë të veçantë dëmshpërblimin e Kosovës për dëmet e luftës.

Dëmet e luftës më herët janë llogaritur se mund të jenë 20 miliard euro së paku, ndërsa me dakordimin për këtë marrëveshje ka shumë mundësi që Kosova të mos dëmshpërblehet kurrë.

“Marrëveshja po të kishte një pikë të veçanta që flet për dëmet ekonomike do të ishte më e plotë dhe më e ndershme dhe do të kontribuonte në qetësimin e marrëdhënieve, kjo çështje duhet të kërkohet dhe adresohet në vazhdimësi”, ka thënë profesori Bajra.

Në anën tjetër, Sejdi Hoxha po ashtu profesor universitar, pohon se qeveria ka rrëshqitur nga propozim-marrëveshja për shumë arsye.

“Ne nuk duhet të harrojmë që në shumë zona të luftës në gjithë Kosovën, fshatrat janë djegur e shkatërruar në masën 98%, fondet e kursimeve pensionale kanë humbur dhe qeveria për ta përmirësuar këtë gabim në marrëveshjen finale duhet ta specifikoj se çka do të thotë tejkalimin i së kaluarës, sepse përveç se mund të ndodhë falje e dëmeve ekonomike mund të ndodh edhe falja e krimeve që janë shumë më të ndjeshme se dëmet ekonomike”, ka thënë Hoxha.

Ndërsa, profesor Mustafë Kadrijaj ka kërkuar nga qeveria që në marrëveshjen finale të precizohet së Serbia duhet të obligohet që të dëmshpërblej Kosovën për gjitha dëmet e luftës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat