Kompania LIMAK rrezikoi sigurinë kombëtare të Zvicrës

Aktuale

Kompania LIMAK rrezikoi sigurinë kombëtare të Zvicrës

Më: 17 mars 2023 Në ora: 14:12
Ilustrim

Një raport me të dhëna të klasifikuara i Ministrisë së Punëve të Brendshme, shpjegon në detaje skandalin e shkaktuar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës (ANP) me sigurinë e udhëtarëve, si dhe cenimin e sigurisë së aviacionit civil të Kosovës dhe të Zvicrës.  

Veprimet e paautorizuara të një zyrtari të kompanisë LIMAK, e cila menaxhon me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, e kanë cenuar sigurinë kombëtare të aviacionit civil të Kosovës dhe Zvicrës, zbulon një raport i klasifikuar i inspektorëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Media e ka siguruar raportin konfidencial të hetimeve të realizuara nga inspektorët e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ky raport 15-faqësh shpjegon në detaje skandalin e ANP-së me kalimin e 99 bagazheve, gjashtë prej tyre të dyshimta si të rrezikshme, pa u kontrolluar me pajisje të skenimit.

Bagazhet, të cilat nuk i kanë kaluar procedurat e kontrollit të sigurisë, janë futur në aeroplan të cilët kanë udhëtuar për në Zvicër. Kësisoj, përpos rrezikimit të udhëtarëve dhe sigurisë së aviacionit civil të Kosovës, ANP-ja ka cenuar edhe sigurinë kombëtare të shtetit helvetik. Valixhet kanë hyrë pa kontroll të sigurisë në Zvicër.

Incidenti, siç përshkruhet në raport, kishte ndodhur të hënën e 19 gushtit, 2019.

Atë ditë, qindra punëtorë të Aeroportit të Prishtinës kishin hyrë në grevë për të kërkuar të drejtat e tyre që burojnë nga Ligji i Punës dhe Kontrata Kolektive. Në grevë ndodheshin edhe operatorët e skenimit dhe sigurimit.

Hyrja në grevë e operatorëve të skenimit, nënkuptonte bllokimin e sistemit të kontrollit të bagazheve në aeroport.

Mirëpo, një zyrtar i aeroportit, i cili punon në mirëmbajtjen e pajisjeve të skenimit, kishte hapur pa autorizim barrierën që i mundësonin bagazheve të kalojnë nga njëri shirit në shiritin e kontrollit për tek pajisja e skenimit.

Saktësisht, 99 çanta kishin kaluar sistemin e sigurisë në aeroport pa u kontrolluar me pajisje të skenimit dhe nga operatorët e skenimit atë ditë, kanë gjetur inspektorët e MPB-së.

Procesi i kalimit të bagazhit, kishte nisur rreth orës 08:00 dhe ka vazhduar për disa minuta, thuhet në raport, derisa ka arritur një operator i skenimit i cili ka qenë në grevë dhe e ka ndalur procesin e kalimit të bagazhit nëpër x-ray.

“Deri në momentin e intervenimit të tij, kishin kaluar 44 çanta pa u ekzaminuar dhe kontrolluar”, thuhet në raportin e inspektorëve të MPB-së.

Operatori që ka ndalë këtë sistem, pastaj ka raportuar udhëheqësin e ndërrimit dhe policinë.

Por, pas ndaljes së procesit të kalimit të bagazheve nga ana e operatorit, përsëri zyrtari i njëjtë, ka aktivizuar shiritin për bartjen e bagazheve duke kaluar bagazhin përmes x-ray pa u kontrolluar dhe ekzaminuar nga ana e operatorëve të skenimit.

Në raport, përshkruhet se pas ndaljes së dytë të procesit nga operatori i skenimit, në vendin e ngjarjes ka mbërritur menaxhmenti i lartë i aeroportit. Ata kanë parë nga afër se si është duke u zhvilluar procesi i kalimit të bagazheve nëpër sistemin e sigurisë, “meqenëse është duke u zhvilluar greva dhe është dyshuar se punëtorët grevist janë duke e bllokuar procesin”.

Dy pajisjet e skenimit që punojnë në mënyrë automatike, kanë vazhduar të punojnë pothuajse gjatë tërë ditës, edhe pse punëtorët e aeroportit ndodheshin në grevë.

Raporti ka gjetur të dhëna shqetësuese se si janë anashkaluar procedurat e kontrollit të sigurisë edhe për bagazhe të dyshimta për bartje të mjeteve të ndaluara.

“Derisa pajisjet kanë qenë duke punuar, bagazhet e dyshimta, tek të cilat sistemi dyshon se barttë mjete të ndaluara, janë ndarë nga pjesa tjetër e çantave në mënyrë automatike për t’u kontrolluar nga operatori i skenimit duke kaluar në nivelin e dytë për kontroll. Mirëpo, mirëmbajtësi i pajisjeve të skenimit e ka përcjellë përmes shiritit për në depo të aeroplanit, duke anashkaluar procedurat e parapara për kontroll të sigurisë”, thuhet në raport.

Raporti i inspektorëve ka evidentuar shkelje serioze në pikën e kontrollit të bagazheve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Sipas raportit të inspektorëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, zyrtari i aeroportit, mirëmbajtës i pajisjeve të skenimit, ka keqpërdorur detyrën zyrtare pasi nuk ka qenë i autorizuar për aktivizimin e sistemit të skenimit për kontrollim të bagazhit.

Po ashtu, raporti i inspektorëve të MPB-së kërkon nga ANP “Adem Jashari” që t’i hiqej masa ndëshkuese operatorit të skenimit, i cili kishte reaguar dhe kishte lajmëruar policinë për incidentin e 19 gushtit, 2019.

“[…] meqenëse ai ka reaguar sipas procedurave standarde operative dhe në përputhje me situatën e krijuar, duke u munduar të evitojë (ndalë) shkelje të rregullave të sigurisë”, thuhej në raport.

Për këtë rast, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj katër punonjësve të ANP-së më 2 prill të vitit 2020.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Faton Gurguri, Endi Bujupi, Visar Xhekaj, në cilësinë personave zyrtar të licencuar operator për X-Ray dhe i akuzuari Martin Biserov Alekov, në cilësinë e inxhinierit të elektronikes dhe në cilësinë e mbikëqyrësit automatik në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, kishin keqpërdorur detyrën zyrtare.

Paparaci, raportoi të mërkurën mbi skandalin dhe dyshimet për konflikt interesi në hetimin penal të rastit nga prokurorja Dulina Hamiti.

Dyshimet për trajtimin e lëndës rëndojnë mbi prokuroren e rastit, Dulina Hamiti, djali i së cilës, Arlind Hamiti, është punësuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, i cili i përket kompanisë private LIMAK.

Në mesin e procesit gjyqësor, djali i prokurores Hamiti është punësuar vitin e kaluar në pozitën e operatorit të skanimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat