​Kurti: Nuk diskutuam për zgjedhjet në veri, janë punë të brendshme të Kosovës

Aktuale

​Kurti: Nuk diskutuam për zgjedhjet në veri, janë punë të brendshme të Kosovës

Më: 19 mars 2023 Në ora: 07:04
Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti pas takimit në Ohër me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili u zhvillua me ndërmjetësimin e BE-së, ka thënë se nuk kanë diskutuar për zgjedhjet në veri të vendit, pasi këto janë punët e brendshme të institucioneve në Kosova, të cilat do t’i marrin të gjitha vendimet që janë të domosdoshme që sa më mirë të organizohen ato zgjedhje.

“Sa i përket zgjedhjeve në Kosovë, sigurisht që nuk kemi diskutuar, këto janë punët e brendshme të institucioneve në Kosova dhe ne do t’i marrim të gjitha vendimet të cilat janë të domosdoshme që sa më mirë të organizohen ato zgjedhje. Më vjen shumë keq që më 5 nëntor të vitit të kaluar, Beogradi urdhëroi që këta deputetë të Listës Serbe të japin dorëheqje, dorëheqje kolektive dhe në të njëjtën kohë më shumë se 400 policë në pjesën veriore të Kosovës dhe në të njëjtën kohë katër kryetarë komunash atje, mendoj se ishte gabim dhe nuk mund te jesh politikan autentik dhe të përfaqësosh qytetaret nëse fillon me dorëheqje kolektive vetëm për atë se dikush nga Beogradi te ka urdhëruar, do të thotë që ata njerëz do të duhej që t’i përfaqësojnë qytetaret dhe t’u shërbejnë qytetareve dhe jo një njeriu në një shtet tjetër”, tha ai.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka caktuar 23 prillin e vitit 2023, datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan dhe për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit..

Përndryshe, në takimin e 18 marsit në Ohër, Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar që ta implementojnë aktin e zbatimit të marrëveshjes së dakorduar më 27 shkurt në Bruksel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat