Kurti pret masa ndaj Serbisë: BE-ja duhet të dëshmohet si ndërmjetëse

Aktuale

Kurti pret masa ndaj Serbisë: BE-ja duhet të dëshmohet si ndërmjetëse

Më: 22 mars 2023 Në ora: 12:46
Kryeministri, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pret që Bashkimi Evropian të dëshmohet si ndërmjetësues dhe të imponojë zbatimin e Marrëveshjes Kosovë-Serbi ose të konstatojë moszbatimin apo shkeljet dhe të vë sanksione ndaj Serbisë për refuzim të zbatimit.

Në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti ka thënë se dakordimet e tij dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 27 shkurt në Bruksel dhe 18 mars në Ohër janë konstatuar si Marrëveshje nga ndërmjetësit, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, e si rrjedhojë ato duhet të zbatohen.

Sa i përket marrëveshjes bazë, BE-ja duhet të dëshmohet. Kemi marrëveshje, kishim më 27 shkurt e bëmë sërish në 18 mars. Të dyja janë marrëveshja. Janë konstatuar nga ndërmjetësi Josep Borrell dhe emisari Lajçak që kjo është marrëveshje. Pra BE-ja po thotë se është marrëveshje. Nga ana tjetër, Serbia thotë se s’ka ndërmend të zbatojë diçka apo po shkel diçka tjetër. Por ne s’mund të merremi me këtë. Prandaj ekziston ndërmjetësi. BE-ja është ajo që duhet të sigurojë që marrëveshjet e dakorduara të zbatohen në terren. S’ka kuptim që të mbesin tekst në letër”, ka thënë Kurti duke shtuar se “ndërmjetësi është ai i cili imponon zbatimin ose konstaton moszbatim a shkelje dhe sanksione përkatëse”. “Është ndërmjetësi që ka fjalën për çfarëdo devijimi, deformimi apo shkelje”.

Kurti ka komentuar edhe çështjen e nenit 7, të shumëpërfolur të marrëveshjes bazë mbi propozimin evropian për normalizim raportesh në mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, aty bëhet fjalë për “vetëmenaxhim të komunitetit serb” dhe s’ka të bëjë me “komuna”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat