Vrasja në Dragodan – Dy vëllezërit u sulmuan nga viktima për 5 mijë euro, tentoi t’i fuste në fajde

Aktuale

Vrasja në Dragodan – Dy vëllezërit u sulmuan nga viktima për 5 mijë euro, tentoi t’i fuste në fajde

Më: 22 mars 2023 Në ora: 17:11
Pamje nga vendi i ngjarjes

Të shtunën në mesditë mbeti i vrarë 50 vjeçari, Rexhep Tahiri në lagjen Arbëria në Prishtinë. Ndërsa si të dyshuar u arrestuan dy vëllezërit Mustafë e Avni Mustafa.

Gazeta mëson se motivi i kësaj ngjarje të rëndë ishte pasi që i ndjeri [Rexhep Tahiri] iu kërkonte dy vëllezërve që t’ia kthenin një shumë të parave prej 5 mijë euro që ia kishin huazuar duke insistuar që t’i fuste në fajde.

Avokati mbrojtës i Mustafë Musfatës, Skender Musa ka thënë se i ndjeri fillimisht kishe sulmuar dy vëllezërit me thikë duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore e më pas në vetëmbrojtje i dyshuari Avni Mustafa kishte shtënë me armë drejtë viktimës.

Avokati, Skender Musa tha se ndaj klientit të tij [Mustafë Mustafa] është refuzuar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit pasi që nuk ka kryer asnjë vepër penale.

“Në mungesë të provave dhe në mungesë të dyshimit të bazuar mirë  kundër të mbrojturit tim Mustaf Mustafa  është refuzuar kërkesa e Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit sepse nga video-incizimet e marra, padiskutueshëm është vërtetu që zotri Mutafë Mustafa nuk ka kryer asnjë vepër penale dhe nuk ka asnjë element të veprës penale dhe ka qenë i paarmatosur”, tha ai.

Në një bisedë Musa tregon se motivi i vrasjes ka qenë për pesë mijë euro. Sipas tij, mbrojtja [Mustafë Mustafa] i ka huazuar viktimës një shumë prej 5 mijë eurove dhe i ndjeri [Rexhep Tahiri] ka tentuar t’i fus në fajde. Nga ky moment dyshohet se ka filluar sulmi ndaj vëllezërve.

“Motivi ka qenë për shkak se mbrojtja  ka huazuar një shumë prej 5 mijë eurove nga ana e të ndjerit dhe i ndjeri ka tentuar ta fus në fajde përkundër faktit që ky ka bërë përpjekje që t’ia paguaj parat që ka huazuar dhe në këtë formë – në momentin që ka treguar që nuk paguan fajde ai është alarmuar dhe ka fillu t’i sulmoj të dy vëllezërit. Edhe ai (Avni Mustafa) është në gjendej të rëndë ka pas sulm afër veshkës, mushkërive dhe zemrës. Ai është në gjendje të rëndë shëndetësore”, deklaroi ai.

Personi që ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës sipas avokatit Skednder Musa është Avni Mustafa pasi ai ka qenë vazhdimisht duke u sulmuar me thikë.

“Në bazë të provave shihet qartë se vëllai i mbrojtjes time ka shtënë në drejtim të të ndjerit i cili ka qenë vazhdimisht duke e sulmuar me thikë edhe Avniun edhe Mustafën. Të gjitha elementet e mbrojtës janë plotësuar në këtë rast”, tha Musa.

Dy vëllezërit janë sulmuar me thikë

Avni dhe Mustafë Mustafa janë sulmuar me thikë nga i ndjeri Rexhep Tahiri. Sipas avokatit Musa, klienti i tij është therur me thikë në veshke dhe dy duart.

“Ka qenë i therur në anën e majtë mbi veshkë dhe është i lënduar rëndë  në dorën e djathë e ka edhe gishtin e thyer nga sulmi me thikë e po ashtu edhe në dorën e majtë është i lënduar me thikë dhe është i prerë dhe ka lëndime të rënda nga i ndjeri”, tha ai.

Vendimi i Gjykatës

Lidhur me rastin u arrestuan dy të dyshuar, M.M dhe A.M për shkak të veprave penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje” dhe “mbajtja në pronësi kontrolle ose posedim të pa autorizuar të armëve”.

Gjykata ka konfirmuar se njërit iu është caktuar masa e paraburgimit ndërsa tjetrit iu është refuzuar, shkruan Insajderi. “Gjykata Themelore e Prishtinës, informon se caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin M.M e ka refuzuar ndërsa për të pandehurin A.M kërkesën e prokurorisë e ka aprovuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji“, thuhet në njoftim

“Gjyqtari i Procedurës Paraprake, pas dëgjimit të prokurorit të shtetit, të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre, për caktimin e masës së paraburgimit, vlerësoj se kërkesa e prokurorit të shtetit sa i përket të pandehurit A.M është e bazuar sepse janë përmbushur kushtet e parapara me nenin 184, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe 1.2, pikat 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale, ndërsa sa i përket të pandehurit M.M, në mungesë të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale, kërkesa e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtit është refuzuar, si e pa bazuar”, thuhet në njoftim.

Lidhur me rastin është sekuestruar edhe: Një revole me një karikator, 11 fishekë, një gëzhojë dhe një thikë, ka njoftuar policia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat